Këngëtarja dhe aktorja Bella Thorne ka shpërthyer në akuza të rënda ndaj Charlie Puth, duke pretenduar se këngëtari i njohur ka gënjyer publikisht për të, për arsye personale. Në një koment në rrjetet sociale, Thorne shkruan se Puth nisi një “valë urrejtjeje” kundër saj “vetëm sepse nuk pranoi të kishte marrëdhënie seksuale me të”.
Deklarata e saj u bë pas një postimi ku këngëtarja Jade Thirlwall, ish-anëtare e grupit Little Mix, u shpreh se nuk do të bashkëpunonte kurrë me Charlie Puth. Kjo deklaratë nxiti reagimin e Thorne, e cila komentoi:
Po, dua të them… ai gënjeu gjithë botën për mua dhe nisi një valë urrejtjeje. E gjitha sepse nuk doja të bëja seks me të.
Edhe pse mes tyre nuk u konfirmua kurrë një lidhje zyrtare, Bella dhe Charlie u panë shpesh bashkë në publik, duke nxitur thashethemet për një romancë.
Situata mori përmasa më të mëdha në vitin 2016, kur Puth postoi në rrjetet sociale duke aluduar se Thorne kishte qenë në një lidhje paralele me aktorin Tyler Posey.
Megjithatë, Bella e mohoi kategorikisht një gjë të tillë dhe sqaroi se ishte ndarë nga Posey përpara se të shfaqej me Puth. Sipas saj, Puth u ndikua nga një artikull i vjetër dhe reagoi pa e verifikuar të vërtetën.
Rasti është rikthyer në vëmendje pas komenteve të fundit, me Thorne që akuzon Puth për manipulim publik dhe përpjekje për të rrënuar imazhin e saj, për shkak se ajo nuk iu përgjigj interesit të tij personal. Deri tani, Charlie Puth nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave.