Aktualitet Politikë

Berisha mbledh Këshillin/ Alimehmeti prezent, mungon Salianji: S’desha t’ju jap mundësinë të shmangin vëmendjen nga skandalet e qeverisë

Sali Berisha ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar të PD, në selinë blu, ku në fokus të diskutimeve është protesta e 22 dhjetorit dhe rrëzimi i Edi Ramës nga qeveria dhe pastrimin e partisë së tij nga ata që i quan ‘sorositë’.

Në këtë mbledhje mes të pranishmëve është edhe kandidati më i votuar në listat e hapur për Tiranës, Ilir Alimehmeti, ndërsa nuk është prezent ish-deputeti Ervin Salianji.

Ky i fundit, i kontaktuar nga Top Channel ka deklaruar se nuk ka shkuar në mbledhje, që t’u japë mundësinë që të përqendrohen te skandalet e qeverisë, dhe të mos ‘i bëhet gjyq’ për takimet që mban, siç tha se iu bë në mbledhjen e Anëtarësisë pak ditë më parë.

“Sot nuk mora pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar që mos t’iu jap mundësi ta shmangin vëmendjen nga skandali Rama-Balluku dhe skandali i AKSHI-t”, u shpreh ai.

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur ditën e sotme për herë të parë pas disfatës së pësuar nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në rend dite janë përfshirë diskutime mbi situatën politike në vend, çështja e Belinda Ballukut dhe protesta kombëtare e lajmëruar më 22 dhjetor.

Para anëtarëve të Këshillit Kombëtar Sali Berisha artikuloi edhe njëherë akuzat e vjetra se zgjedhjet e 11 majit ishin farsë dhe u vodhën nga Rama i mbështetur nga bandat. Kush mendon ndryshe, pra se Rama ka fituar zgjedhjet, sipas Berishës mashtron veten ose është i mashtruar.

Berisha e pranon edhe vetë se nuk kanë bërë mjaftueshëm për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Me protestat e fundit ku pjesëmarrja edhe e militantëve lë për të dëshiruar, Berisha thotë para Këshillit Kombëtar se deri më tani kanë treguar ‘muskujt’. Para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Berisha premton se do të përshkallëzojnë protestat deri në greva urie, apo demonstrata të dhunshme.

Ndër të tjera, ditën e sotme Berisha paralajmëroi dhe përjashtimin e ish-deputetit Ervin Salianji, të cilin e akuzoi për bashkëpunim me Suel Çelën, kreu i bandës së Elbasanit, për organizimin e takimit të djeshëm me qytetarët në këtë qytet. Kjo pikë pritet të prodhojë edhe debate të ashpra në mbledhje, ndërsa siç thonë burime për Report Tv, ish-deputeti Salianji nuk do t’i bashkohet mbledhjes pasi po zhvillon takime me demokratët në bazë.