Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur ditën e sotme për herë të parë pas disfatës së pësuar nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në rend dite janë përfshirë diskutime mbi situatën politike në vend, çështja e Belinda Ballukut dhe protesta kombëtare e lajmëruar më 22 dhjetor.
Ndër të tjera, ditën e sotme Berisha paralajmëroi dhe përjashtimin e ish-deputetit Ervin Salianji, të cilin e akuzoi për bashkëpunim me Suel Çelën, kreu i bandës së Elbasanit, për organizimin e takimit të djeshëm me qytetarët në këtë qytet. Kjo pikë pritet të prodhojë edhe debate të ashpra në mbledhje, ndërsa ish-deputeti Salianji nuk do t’i bashkohet mbledhjes pasi po zhvillon takime me demokratët në bazë.
Kreu i PD Sali Berisha përpara anëtare të Këshillit Kombëtar u justifikua për mosorganizimin e një mbledhje që prej zgjedhjeve të 11 majit, duke thënë se shkak është bërë mbrojtja e votës së lirë dhe vërtetimi i farsës elektorale.
“Do ta filloj së pari me një sqarim për vonesën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së pas zgjedhjeve të 11 majit. Dua të garantoj çdo demokrat, çdo anëtar të Këshillit, se kjo vonesë ka pasur vetëm një shkak, mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë. Jemi njerëz të fjalës, ne mbahemi për fjalën tonë. Dy kanë qenë kryefjalët tona. E para, me Ramën nuk ka zgjedhje, e kam thënë dhjetëra herë. E dyta, ne u thamë shqiptarëve se do të mbrojmë votën. Theksoj se fushata elektorale e vitit 2025 ka qenë fushata me programin më të shkëlqyer elektoral në të gjithë historinë e PD-së. Ka qenë një fushatë me arkitektin më të aftë të fushatave elektorale, arkitektin e fitores së Trump. Ka qenë fushata në të cilën ne garantuam mbështetjen e plotë nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë”, tha Berisha.