Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë me “Shqipëria Vendos – Zgjedhjet 2025”.
Nën drejtimin e gazetarit Blendi Salaj, Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.
Agim Baçi:
Kam qenë me bindjen që Berisha nuk duhej të kthehej, madje nuk duhet të kishte qenë pas kuintave. Madje kur kam qenë përballë me zotin Berisha ia kam thënë. Edhe nëse ai ankohet që ishte problem zoti Basha, zotin Basha ai e mbështeti në 2013, ai e mbështeti në 2017, ai e mbështeti në 2021. Pra nuk është se e mbështeti vetëm një herë dhe gaboi, ka qenë një lloj raporti shumë i rëndësishëm. Për më tepër, nuk e gjykoi atë pas një humbje, siç ishte në rastin e 2021. Por i kërkoi të ikte pasi mori një vendim kundër tij. Në këtë lloj pike, nuk ka më shqetësim për qytetarët. Unë kam pasur bindjen dhe e kam akoma, që pjesa më e madhe e demokratëve, kanë refuzuar, pas asaj ngjarje të 8 janarit 2022, ku u godit shtëpia. Dhe qytetarët mendojnë që një njeri që godet shtëpinë e tij për ta marrë me dhunë, nuk mund të na japë garancinë që do mbrojë dhe shtëpinë tonë.