Në të njëjtën ditë që Kushtetuesja rrëzoi pretendimet e Sali Berishës për shfuqizim të masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”, ish-kryeministri hapi një front të ri me drejtësinë në Gjykatën e Lartë. Kjo gjykatë regjistroi një kërkesë të radhës për liri nga ‘arresti shtëpiak’ të ish-kryeministrit të akuzuar për “korrupsion” nga SPAK, masë që e vuan prej 30 dhjetorit të vitit të shkuar.
Gjykata e Lartë ka regjistruar një tjetër kërkesë të kreut të opozitës Sali Berisha e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi lidhur me kundërshtimin e masave të sigurisë.
LEXO EDHE: Berisha: Ndryshim rrënjësor në programin e PD-së!
Regjistrimi i rekursit është bërë të enjten e 21 nëntorit dhe gjyqtar relator do të jetë Sokol Binaj, por ndërkohë ende nuk ka një vendim për datën dhe orën e seancës. Berisha kundërshton masën e arrestit në shtëpi caktuar nga Gjykata e Posaçme më 30 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa kërkesa në Gjykatën e Lartë ka të bëjë me vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 18 qershor, që la të pandryshuar masën.
Kërkesa për revokimin e masës është bërë shoqëruar kërkesës për informacionin dy mujor të organit të Prokurorisë së Posaçme. Ky rekurs vjen në kohën kur Gjykata Kushtetuese e konsideroi si antikushtetuese masën e ndalimit të daljes jashtë vendit për Berishën, por jo atë të detyrimit për tu paraqitur.
Ndërkohë që Kushtetuesja sqaroi se lidhur me masën e arrestit të shtëpisë, do të shprehet në një moment të dytë. Të hënën e 25 nëntorit, GJKKO do të shqyrtojë në seancë paraprake kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim ose jo të dosjes “Partizani”.