Kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi sot në sheshin Skëndërbej projektin e Mobike, biçikletave inteligjente pa stacion në Tiranë. Biçikleta përdoret me një aplikacion dhe mund ta parkosh kudo në qytet, por gjithmonë duke mos penguar trotuarin apo rrugën dhe jo në ambjente private. Veliaj tha se është rritur numri i përdoruesve të biçikletave. Ndërkaq ai tha se: “Kanë kaluar vetëm 3 vjet, jo vetëm Tirana është qyteti më i pastër, por jemi ende të parët në Ballkan, duke filluar nga biçikletat, te taksitë elektrike dhe te shumë risi të tjera. Sot nëse udhëton në Firence, nëse udhëton në Milano dhe nëse udhëton në Tiranë ndoshta nuk ka shumë gjëra të përbashkëta, ama Mobike është njësoj kudo. Kemi një copë Europë duke filluar nga ky projekt i biçikletave pa stacion që sot nis me 500 dallëndyshet e para në qytetin tonë të dashur, në qytetin e Tiranës. Kjo do të jetë një verë që e sigurt do të hyjë në histori në qytetin e Tiranës ndaj edhe unë mezi pres që këtë histori ta bëjmë bashkë nga 4 mijë pedalime, si e vetmja mënyrë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur ashtu siç kemi bërë në këto tre vjet dhe ashtu siç do të bëjmë në vazhdim”, theksoi Veliaj. Kryetari i Bashkisë kishte dhe një apel për drejtuesit e automjeteve. Veliaj kërkoi edhe bashkëpunimin e drejtuesve të automjeteve që të respektojnë qytetarët të cilët zgjedhin që të udhëtojnë në kryeqytet përmes dyrrotakut. “U bëj apel të gjithë shoferëve, bëjini sytë katër se përveçse të merrni kthesën do të duhet të shikoni që nuk i prisni rrugën një çiklisti apo një këmbësori dhe unë besoj që një qytet demokratik është një qytet që u jep njësoj hapësirë të gjithë taksapaguesve të vet edhe atyre që janë në këmbë dhe atyre që janë në dy rrota edhe atyre që janë në makina. Ky është qyteti demokratik ku besojmë dhe besoj që me Mobike qyteti është bërë akoma edhe më demokratik se çka qenë”, u shpreh Veliaj.