Bota

Biden po largohet, por jo siç do të kishte shpresuar!

Presidenti amerikan, Joe Biden nuk po largohet nga Shtëpia e Bardhë në mënyrën që shpresonte. Ai kandidoi për një mandat të dytë, duke lënë mënjanë shqetësimet e votuesve për moshën disi të thyer. Pas një paraqitjeje të dobët në debatin me kundërshtarin republikan Donald Trump dhe nën presionin e vazhdueshëm të Partisë Demokrate, Biden u bind dhe hoqi dorë nga gara për një mandat të dytë. Ai mbështeti zv.presidenten Kamala Harris, e cila humbi përballë Trump-it në zgjedhjet e nëntorit të kaluar.

Ndërkohë, presidenti Joe Biden po përgatitet t’i dorëzojë Shtëpinë e Bardhë një individi të cilin e cilësoi si “kërcënim ekzistencial për institucionet demokratike në vend”. Në një letër të hapur të publikuar një ditë më parë, Joe Biden e pranoi se nuk i ka realizuar premtimet e bëra.

Kandidova për president sepse besoja se shpirti i Amerikës ishte në rrezik. Vetë natyra se kush jemi ishte në rrezik dhe kjo ende vazhdon të jetë, thuhet në letrën e Biden-it.

Më tej në letër, shefi i Shtëpisë së Bardhë vë në dukje arritjet e tij, duke përfshirë drejtimin e vendit dhe luftën kundër pandemisë së koronavirusit, mbështetjen e prodhimit brenda vendit, si dhe uljen e kostos së barnave me recetë.

Fjalimi prej 15 minutash i Biden-it mbrëmjen e djeshme, jo vetëm që shënon fundin e presidencës së tij, por edhe pesë dekadat e angazhimit në politikë. Pas zgjedhjes në moshën 30-vjeçare për të përfaqësuar shtetin e lindjes Delauer në vitin 1972, Biden ishte senatori më ri.

Joe Biden kandidoi për postin e presidentit në vitet 1988 dhe 2008, përpara se të bëhej zv.president pas fitores së demokratit Barack Obama. Pasi shërbeu 8 vjet në postin e zv.presidentit, u konsiderua se Biden i kishte dhënë fund politikës. Por, në skenën politike u kthye në vitin 2020, duke larguar me sukses presidentin Trump nga Shtëpia e Bardhë.