Në Britaninë e Madhe, Keir Starmer, nesër pritet të njoftojë se do të japë dorëheqjen si kryeministër. Kjo pas presionit të madh nga deputetët e Partisë Laburiste për t’i hapur rrugën Andy Burnham-it për t’u bërë udhëheqës i partisë, pas humbjes së thellë të laburistëve në zgjedhjet e fundit lokale.
Sekretari britanik i Biznesit, Peter Kyle, tha se Starmer, po “reflekton mbi realitetet politike”. Por, Kyle u shpreh se nuk ka arsye të besojë se Starmer planifikon të njoftojë dorëheqjen të hënën (22.06), teksa shtoi se do të ishte “iluzion” të mos pranohej se pozita e tij është nën rrezik, siç raporton Reuters.
Sot, si çdo ditë tjetër që e kam njohur Keirin, ai është duke punuar me intensitet. Në të njëjtën kohë, ai po përpiqet gjithashtu të krijojë hapësirë për të menduar dhe reflektuar mbi realitetet politike, sfidat, dhe mundësitë që kemi përpara, deklaroi Kyle në një intervistë për Sky News.
Kërcënimi ndaj pozitës së Starmer-it, që ka nisur muaj më parë, u intensifikua të premten kur Andy Burnham fitoi mandat në Parlament, çka i mundëson të nisë zyrtarisht një garë për marrjen e drejtimit.
Rënia e mbështetjes së Starmerit u bë e dukshme nga humbjet e mëdha të partisë në pushtet në zgjedhjet lokale të mbajtura në maj, teksa sondazhet për anëtarët e Partisë Laburiste kanë treguar se Burnham do ta fitonte garën për drejtimin nëse përballej me kryeministrin.
Gazeta The Observer raportoi se Starmer po diskutonte të ardhmen e tij me bashkëshorten, përpara marrjes së një vendimi përfundimtar dhe se figura të larta të laburistëve presin që një deklarim i qartë të bëhet nesër.
Në përgjigje të këtij raportimi, një burim qeveritar vuri në dukje se kryeministri britanik mbetet i fokusuar në vazhdimin e punës së qeverisjes.