Britania e Madhe është gati të dyfishojë fondet për Ballkanin Perëndimor. Londra synon t’i vijë në ndihmë vendeve të rajonit për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Kjo u deklarua sot nga Kryeministrja Theresa May, në Samitin e Ballkanit Perëndimor, që po zhvillon punimet në kryeqytetin britanik, me pjesëmarrjen dhe të Kancelares Gjermane, Angela Merkel. Takimi është i 5-ti në kuadër të Procesit të Berlinit, i krijuar në vitin 2014, me qëllim thellimin e lidhjeve midis Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së.