Aktualitet

Caktohet data/ Rekursi i Ilir Metës për zëvendësimin e masës së sigurisë!

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 27 nëntor për shqyrtimin e rekursit të ish presidentit Ilir Meta, i cili kërkon shfuqizimin e vendimit për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.

Seanca do të zhvillohet në orën 12:30 në dhomë këshillimi. Relator do të jetë Ilir Panda.

Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.

Më herët, Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për të ndryshuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Avokati i Metës, Kujtim Cakrani tha për gazetarët pas daljes nga seanca se është gjobitur me 10 mijë lekë gjobë për shkak se ka bërë kërkesë të përsëritur për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani.

Mbrojtja pretendon se gjyqtarja ka gjykuar muajin e kaluar kërkesën për revokimin e masës dhe vendosi mospranimin, ndaj nuk mund të shqyrtojë sërish një çështje tjetër që prek të njëjtin person.

“Kisha kërkuar përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani.  Gjyqtari Florian Kalaja s’e përjashtoi se ajo kishte gjykuar më parë një çështje dhe më sanksionoi edhe mua me 10 mijë lekë gjobë ose 100 mijë lekë për shkak të kërkesës së padrejtë që kisha bërë për përjashtimin e gjyqtares. Ne kërkuam që të shuhet masa e sigurimit presidentit se i kanë kalaur të gjitha afatet e parashikuara në Kodin e Procedurës dhe Kushtetutë. Prokuroria mban qëndrimin e saj lidhur me miratimin e vendimit dhe vazhdimin e paraburgimit, gjykata nuk bëri shuarjen  e masës që parashikon 263 gërma c të Kodit të procedurës.”, tha Cakrani.