Apeli i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) ka shtyrë seancën për kërkesën e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për lirimin nga qelia. Shkak u bë kërkesa e re nga mbrojtja për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani me argumentin se muajin e kaluar ka gjykuar çështjen për revokimin e masës e cila vendosi mospranimin.
E njëjta gjyqtare nuk mund të gjykojë të njëjtin person mbi dy kërkesa të ndryshme, deklaroi Kujtim Cakrani, avokati i Metës.
Seanca e radhës u la për në datën 14 nëntor, në orën 09:00.
Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024 dhe ka bërë gjithashtu ankim edhe në Gjykatën e Lartë. Dosja e tij përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror, ku ai akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Nëse do ta lërë apo jo qelinë ish-presidenti Ilir Meta do të shqyrtohet me dyer të mbyllura, pa e dëgjuar atë por duke lexuar provat shkresore në Gjykatën Kushtetuese.
Pak ditë më parë, mbledhja e gjyqtarëve vendosi të kalojë në seancë plenare, pa praninë e palëve, kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, i cili disa herë ka kërkuar heqje të arrestit në burg.
Mes argumenteve të shumta, Meta solli si shembull rastin e Thoma Gëllçit, për të cilin Strasburgu deklaroi se Shqipëria e mbajti në paraburgim ish-funksionarin, pa ofruar arsye të mjaftueshme.