Argjinatura e çarë e lagunës së Vainit në zonën e Tales u izolua, por rreziku për përmbytje vijon të mbetet. Operacioni i ndërhyrjes ka përfunduar rreth orës 03:00 të mëngjesit, ku janë hedhur tonelata gurësh dhe inertesh për të mbyllur çarjen. Mjetet e ushtrisë pritet të rikthehen në terren gjatë ditës për të vijuar me përforcimin e argjinaturës, që ende ka rrjedhje uji.
Mbrëmë nga terreni, deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, pas takimeve me banorët, tha se kjo situatë nuk është fatkeqësi natyrore, por sipas tij, “pasojë e neglizhencës dhe mosveprimit të institucioneve përgjegjëse”.
Ndërkaq, akuzoi autoritetet për bllokimin e kanalit natyror që lidh lagunën me detin, duke shkaktuar dëme për qindra banorë në Shënkoll, Zejmen e Kolsh. Prokurorisë së Lezhës, Gjoni i kërkoi të hetojë urgjentisht dhe të vërë përgjegjësit përpara drejtësisë, siç vuri në dukje, për këtë katastrofë të shkaktuar.