Argjinatura e lumit Devoll është çarë në të njëjtin vend ku u dëmtua edhe nga reshjet e nëntorit të kaluar 2025. Sipas autoriteteve lokale, aktualisht, pjesa e dëmtuar po forcohet edhe më shumë, në mënyrë që të mos krijojë më përmbytje.
Momentalisht që flasim, çarja është gati 1 metër e lartë dhe është një proces i vështirë për efekt të mos mbajtjes së rrugës. Por, po bëhen të gjitha punimet që brenda 2-3 ditësh të kemi një argjinaturë të sigurt për reshje të mëvonshme, u shpreh Gëzim Topçiu, kryetari i Bashkisë Maliq.
Banorët e Sheqerasit kanë sipërfaqe të mëdha toke, që ende janë nën ujë. Ata shprehen të shqetësuar se të mbjellat iu dëmtuan, ndërsa me prodhimet bujqësore sigurojnë jetesën, ndaj edhe në këto kushte kërkojnë ndihmën e shtetit.
Shumë prej banorëve rrëfejnë se dëme pësuan edhe nga përmbytjet e nëntorit, ndërsa këtë janar, të mbjellat u shkatërruan plotësisht.