Partitë kryesore gjermane, Unioni Kristian-Demokrat (CDU) dhe Partia Socialdemokrate (SPD), kanë përjashtuar kategorikisht mundësinë e bashkëpunimit me partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen në landin North Rhine-Westphalia më 28 shtator.
Drejtuesit lokalë të CDU-së dhe SPD-së bënë të ditur sot se do të bashkëpunojnë për të kundërshtuar kandidatët e AfD-së, duke theksuar se uniteti i partive demokratike është vendimtar për të mbrojtur vlerat themelore të shoqërisë gjermane.
“Kur CDU përballet në balotazh me AfD-në, për mua është krejtësisht e qartë që ne do të mbështesim kandidatin e CDU-së. Dhe pres të njëjtën gjë edhe nga pala tjetër,” u shpreh Sarah Philipp, kryetare e SPD-së në nivel landesh.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Hendrik Wüst, kryeministër i North Rhine-Westphalia dhe përfaqësues i CDU-së, i cili nënvizoi se nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me AfD-në.
“Po qe se një kandidat i AfD-së përballet me një kandidat të një partie demokratike në raundin e dytë, atëherë CDU e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë. Jam i sigurt se edhe votuesit do ta ndjekin këtë qasje,” tha Wüst.