Aktualitet Politikë

Çelet grupkapitulli i fundit me BE-në, Rama: Moment historik!

Shqipëria sot hapi grupkapitullin e fundit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, atë të “Bujqësisë dhe Kohezionit”, duke përmbyllur fazën e parë të procesit negociues.

Në konferencën për shtyp me Marta Kos, eurokomisionere për Zgjerimin dhe Marie Bjerre, ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, vend që mban Presidencën e Këshillit të BE-së, kryeministri Edi Rama deklaroi se hapja e grupkapitullit të fundit përbën një moment historik për Shqipërinë.

Ndihemi plot energji dhe në borxh nëse nuk e realizojmë në kohën e duhur. Jam i frymëzuar nga të gjithë këta muaj dhe nga mbështetja e fortë që po merr procesi i zgjerimit apo ribashkimit të Europës. Do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet e disiplinë dhe me të njëjtën punë të madhe për të dhënë rezultate e për t’u siguruar se ky proces që po ndërtojmë të mos ndalet.

Kryeministri garantoi se Shqipëria do të vijojë me të njëjtin ritëm pune në mënyrë që të sigurohet që procesi i anëtarësimit europian të mos ndalet.

Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet, disiplinë dhe me të njëjtën punë të madhe për të dhënë rezultate, për të siguruar që ky proces të mos ndalet.

Kryeministri Rama vuri theksin te mbështetja e jashtëzakonshme qytetare për integrimin, duke shtuar se 90% e qytetarëve kërkojnë prezencën e Shqipërisë në tryezën e BE-së.

Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë dhe me një ndjenjë të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë parti politike, por një komb të tërë që mbështet si askush tjetër BE-në dhe anëtarësimin në BE, më shumë se 90% e qytetarëve tanë. Jam i sigurt se ata shumë pak që janë në këtë përqindje të vogël që mbetet, thjesht s’do kenë pasur ditë të mirë sepse vështirë të mendojë ndonjë shqiptar që anëtarësimi në BE nuk është ideja më e mirë dhe horizonti ku duhet të synojmë.