Fashion

Chanel blen prodhuesin më të vjetër të këmishave në botë!

Shtëpia franceze e luksit Chanel ka njoftuar blerjen e Charvet, markës historike të njohur për këmishat, kravatat dhe pizhamet e punuara me porosi. Kushtet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike, por drejtuesit e Chanel-it e kanë cilësuar Charvet si një nga “xhevahiret” më të rralla të modës franceze.

“Tani kemi një emër, Chanel, për gratë dhe një emër, Charvet, për burrat”, ka deklaruar Bruno Pavlovsky, president i sektorit të modës në Chanel. Sipas tij, kufijtë tradicionalë mes modës për gra dhe burra po zbehen gjithnjë e më shumë. “Edhe pse Chanel është e lidhur kryesisht me gratë, po shohim gjithnjë e më shumë burra që blejnë produktet tona. Nga ana tjetër, shumë gra vizitojnë Charvet për të porositur këmisha. Të gjithë janë të mirëpritur”, tha ai.

Pavlovsky beson se kjo marrëveshje mund të shënojë edhe fillimin e një epoke të re për modën e lartë mashkullore. Chanel nuk ka aktualisht një linjë të dedikuar për veshje burrash dhe nuk planifikon të krijojë një të tillë në të ardhmen e afërt. Megjithatë, kompania ka investuar në figura mashkullore të profilit të lartë si ambasadorë të markës, përfshirë reperin ASAP Rocky dhe aktorin Pedro Pascal.