Celebrities Gossip Showbiz

Chris Brown dënohet pas sulmit brutal të qenit ndaj ish-punonjëses së tij? Sa duhet të paguajë?

Chris Brown është urdhëruar nga një gjykatë në Los Angeles të paguajë gati 13 milionë dollarë (rreth 11.4 milionë euro) dëmshpërblim ndaj ish-shërbyeses së tij të shtëpisë, e cila u sulmua rëndë nga një prej qenve të artistit në vitin 2020.

Vendimi u mor pas një gjyqi dyjavor, ku juria vendosi që Brown dhe kompania e tij, “Black Pyramid LLC”, duhet t’i paguajnë Maria Avilës 12.9 milionë dollarë (rreth 11.3 milionë euro), raportoi Billboard.

Gjatë procesit gjyqësor, Avila dëshmoi se po nxirrte mbeturinat në pronën e këngëtarit në Kaliforni kur u sulmua nga qeni, i cili i shkaktoi plagë të rënda, duke i shqyer pjesë të lëkurës dhe duke i lënë dëmtime të përhershme në fytyrë dhe krah. Si pasojë e sulmit, ajo deklaroi se ka mbetur edhe me probleme në lëvizje.

Gjykata vendosi gjithashtu që motra e saj, e cila ndodhej në vendngjarje dhe punonte në të njëjtën shtëpi, të dëmshpërblehet me 885 mijë dollarë (rreth 777 mijë euro), ndërsa bashkëshorti i Maria Avilës, Oscar Olivo, do të marrë 50 mijë dollarë (rreth 43,900 euro).

Gjatë dëshmisë së tij, Brown tha se e kishte gjetur Avilën të mbuluar me gjak pas sulmit.

Gjaku më trembi. Isha në shok kur u largova nga vendi i ngjarjes me këshillën e menaxherit tim. Do të ishte një cirk mediatik nëse zëri im do të dëgjohej në telefonatën në 911 ose nëse do të isha aty kur mbërriti policia

-deklaroi ai.

Këngëtari pretendoi se më herët i kishte paralajmëruar Avilën dhe motrën e saj të mos u afroheshin qenve, pasi sipas tij ata ishin agresivë dhe mbaheshin për arsye sigurie.

Megjithatë, motrat e kundërshtuan këtë version, duke deklaruar se një paralajmërim i tillë nuk ishte dhënë kurrë. Ato theksuan gjithashtu se pengesa gjuhësore e bënte të pamundur zhvillimin e një bisede të tillë.

Brown argumentoi se i mbante qentë për mbrojtje personale, duke thënë se shpesh është objekt i përndjekësve.

Ndërkohë, artisti vazhdon të përballet edhe me probleme të tjera ligjore. Ai pritet të dalë sërish para drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar lidhur me një incident në një klub nate në vitin 2023. Brown është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për sulm dhe ka mohuar se kishte përdorur armë gjatë ngjarjes.