Këngëtari i famshëm amerikan, Chris Brown, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për përpjekje për shkaktim dëmesh të rënda trupore dhe posedim të një arme sulmuese, pas një incidenti që thuhet se ndodhi në klubin Tape në Londër në shkurt të vitit 2023.
Ngjarja përfshin sulmin ndaj producentit të muzikës Abraham Diaw, i cili sipas prokurorisë u godit me shishe dhe më pas u sulmua me grushte dhe shqelma ndërsa ishte i shtrirë në dysheme.
Incidenti është regjistruar nga kamerat e sigurisë të lokalit dhe është përshkruar si një “sulm jashtëzakonisht serioz”.
Chris Brown dhe reperi dhe producenti Omololu Akinlolu nga Teksasi, i dyti i përfshirë në çështje, kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Gjyqi i tyre është caktuar të nisë më 26 tetor 2026 dhe pritet të zgjasë një javë.
Brown u arrestua nga policia britanike më 15 maj në Manchester, vetëm disa orë pasi mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar me avion privat.
Ai kaloi disa ditë në burgun HMP Forest Bank, para se të lirohej me kusht kundrejt një garancie prej 5 milionë paundësh.
Kushtet e lirimit përfshijnë ndalim kontakti me dëshmitarët dhe bashkëpandehurin, ndalim hyrjeje në klubin Tape, si dhe kufizime të rrepta për lëvizjet e tij, duke përfshirë ndalimin për të lëvizur jashtë Anglisë dhe Uellsit pa leje.
Megjithatë, Brown ka vazhduar turneun e tij muzikor “Breezy Bowl XX”, ku gjatë performancave falenderoi fansat dhe me ironi komentoi edhe për përvojën e tij në burg.
Çështja vazhdon të ndiqet me interes, pasi Brown përballet me akuza që mund të kenë pasoja serioze për karrierën dhe lirinë e tij.