Këngëtari amerikan Chris Brown ka marrë leje për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara nga Britania e Madhe, pasi gjykata miratoi ndryshimin e kushteve të lirimit me kusht. Vendimi u mor pas akuzave për sulm ndaj producentit të muzikës Abraham Diaw në klubin “Tape” në Mayfair të Londrës.
Sipas aktakuzës, Brown e ka goditur Diaw disa herë në kokë me një shishe dhe më pas me grushte e shqelma, ndërsa viktima ndodhej në dysheme.
Pamjet e sigurisë kanë konfirmuar përleshjen, ndërsa producenti ka ngritur një padi civile kundër këngëtarit në vlerën e 16 milionë dollarëve.
Gjatë seancës së fundit, gjykatësi Tony Baumgartner i lejoi Brown-it të udhëtojë përkohësisht drejt SHBA-së, por nën kushte shumë të rrepta.
Këngëtari duhet të paguajë një garanci prej 5 milionë dollarësh dhe të paraqitet sërish në gjykatë më 28 janar.
Prokurorja Heidi Stonecliffe KC theksoi se leja është dhënë në “rrethana të pazakonta” dhe se kushtet e tjera të lirimit mbeten në fuqi.
Brown nuk lejohet të kontaktojë me Diaw, të frekuentojë klube nate apo të aplikojë për dokumente të reja udhëtimi ndërkombëtar.
Gjykatësi paralajmëroi gjithashtu se gjyqi, i planifikuar për tetorin e vitit të ardhshëm, do të vazhdojë edhe nëse i pandehuri nuk paraqitet personalisht në sallën e gjyqit.