Bota

CIA: Kemi prova se centralet bërthamore në Iran janë shkatërruar!

“Ne kemi mbledhur prova që tregojnë se centralet bërthamore të Iranit janë shkatërruar dhe do të duhen vite për t’i rindërtuar ato”. Kështu tha drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, i cili ishte në Situation Room me presidentin Donald Trump në kohën e sulmit amerikan, më 22 qershor.

Më herët, Irani shpalli fundin e “luftës 12-ditore”. Në këtë fazë, duket se armëpushimi ka arritur një pikë kthese, pas momenteve fillestare të pasigurta.

Gjëja e fundit që iranianët duan të bëjnë tani është pasurimi i uraniumit, ata nuk do ta ndërtojnë bombën për një kohë të gjatë, tha Donald Trump në një konferencë për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke shtuar se “tani shkojmë shumë mirë me Teheranin“.

Sulmi në Fordow i dha fund luftës. Në thelb ishte e njëjta gjë si Hiroshima dhe Nagasaki, u shpreh presidenti amerikan.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, në një bisedë telefonike me Princin e Kurorës Saudite, Muhammad bin Salman, tha se Teherani është “gati të zgjidhë problemet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bazuar në kuadrin ndërkombëtar”.

Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa të drejtat tona.

Ndërkohë, Parlamenti iranian (Majles) miratoi pezullimin e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Kjo u raportua nga agjencia iraniane e lajmeve Fars.

Në një tjetër zhvillim nga konflikti në Lindjen e Mesme, të paktën 44 persona gjetën vdekjen në Gaza gjatë shpërndarjes së ndihmave. U raportua se forcat e IDF-së (ushtrisë izraelite) dhe dronët kanë hapur zjarr ndaj qindra palestinezëve në episode të ndara.