Aktualitet Art & Kulturë

Panairi i 28-të i Librit/Artan Fuga, “Autori më i mirë i vitit”!

Në Pallatin e Kongreseve u ndanë çmimet e Panairit të 28-të të Librit. Për romanin “Ndëshkimi i dytë i Evës”, Artan Fuga u vlerësua si “Autori më i mirë i vitit”.

Një strukturë romaneske mbresëlënëse, ku ndërthuren miti i zanafillës,  dramat e jetës familjare e urbane dhe zhvillimet teknologjike të bashkëkohësisë. Ndërthurja e dimensionit filozofik dhe psiko-social me një letraritetit të spikatur dëshmojnë një të kuptuar të thellë të njeriut, të shoqërisë dhe të kohës, kur jetojmë.

Çmimi për “Përkthimin më të mirë” iu akordua Virgjil Muçit për përkthimin mjeshtëror të veprës Xhejmsi të Percival Everett, fitues i Çmimit Pulitzer 2025.

Reflektohen njohuritë e thella të natyrës së shqipes, por edhe talenti i tij prej shkrimtari. Gjuhësimi me zhdërvjelltësi të admirueshme i dy regjistrave të idiomës së romanit, e bën këtë vepër madhore të bashkëkohësisë t’i flasë lexuesit shqiptar, duke ruajtur ngjyresat dhe kompleksitetin e tekstit origjinal.

Për përkthimin më të mirë letrar nga frëngjishtja në shqip, u vlerësua Urim Nerguti për romanin “Hyrija” të Kamel Daoud.

Përmes nuancimeve të larmishme të fjalës e sintaksës së zhdërvjellët, përkthyesi sjell besnikësërisht në shqip një histori drithëruese duke ruajtur stilin e autorit me heshtjet, belbëzimet dhe shumësinë e zërave të këtij romani tronditës.

“Autori i librit më të mirë studimor”, Ali Xhiku për veprën “Faqeve të historiografisë letrare 1896-1997”.

Për kontributin e vyer për ndriçimin teorik dhe metodologjik të çështjeve kyçe të historisë së letërsisë shqipe, në një vepër ku ndërthuren njohja e thellë e sistemit letrar shqiptar, analiza e teksteve themelore të historisë së letërsisë sonë dhe angazhimi i përkushtuar jetësor në studimet letrare.

Valbona Banka, “Autore e librit më të mirë për fëmijë”, për romanin Aria, “Në dorën time”.

Për rrëfimin e këndshëm dhe me humor, që ndërkall në tekstin letrar edhe shenja identitare të vendit e të gjuhës sonë, që nxisin formimin e identitetit kombëtar te lexuesit e vegjël dhe edukimin emocional përmes letërsisë.

Në këtë edicion të 28-të të Panairit të Librit u ndanë edhe dy diploma mirënjohjeje nga ambasadat e Bullgarisë e të Polonisë, respektivisht për përkthyesen Janka Trifonova Selimi, (tërhequr nga vajza e saj, Milena Selimi), si dhe profesorin Arqile Teta.