Autoritetet braziliane do të mbyllin plazhin e famshëm në Rio de Zhaneiro në prag të Vitit të Ri. Kjo si masë për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së koronavirusit. Këshilli i qytetit njoftoi se hyrja në plazhe do të bllokohet. Banorët dhe punëtorët në zonat e prekura do të duhet të tregojnë dokumente që vërtetojnë se kanë të drejtë të jenë atje.
Kufizimet e reja prekin 30 kilometra vijë bregdetare midis Leme dhe Pontal. Javën e kaluar, administrata e qytetit kishte deklaruar tashmë se do të mbyllte plazhin e Copacabanas, tradicionalisht zemra e festimeve të Vitit të Ri të Rio-s.
Ekstravaganca e Rios tërheq miliona turistë në qytetin port çdo vit. Fishekzjarrët, të cilat zakonisht hidhen janë anuluar këtë vit. Festa e planifikuar e fillimit të vitit me një transmetim koncerti gjithashtu është anuluar. Asnjë muzikant, grup ose DJ nuk do të interpretojë në Copacabana.