Aktualitet

Dalja në treg të lirë, HEC-et e vegjël kërkojnë që afati për lajmërimin të jetë 30 nëntori!

Shoqata Shqiptare për Energjinë e Rinovueshme (AREA) kërkoi që Enti Rregullator i Energjisë të pasqyrojë në draft marrëveshjen për blerjen e energjisë elektrike ndërmjet FTL dhe prodhuesve me përparësi të energjisë që data për lajmërimin e daljes në tregun e lirë të jetë 30 nëntori.

Konkretisht, prodhuesit me përparësi apo hec-et me kapacitet të instaluar deri në 15MW e shesin këtë energji pranë kompanisë publike me një çmim të caktuar nga Enti e që aktualisht është 10 lekë/kwh, por në çdo rast, nëse duan të dalin në treg të lirë mund ta bëjnë. Kjo do të thotë se duhet të lajmërojnë në kohë për këtë shkëputje dhe në rregulloren e re që po diskutohet afati i vendosur është 30 gushti.

Neni 5 që përmban dërgimin e njoftimit nga ana e prodhuesve me përparësi, për të dalë në treg të lirë brenda datës 1 gusht, e shohin si të papërshtatshëm sepse në analizën që do të bëjnë prodhuesit për të marrë këtë vendim ka dy faktorë, çmimi i tregut dhe çmimi vjetor i ofruar nga FTL sipas vendimit të ERE-s që del në fund të vitit.

Marrja e vendimit në mes të vitit e bën vendimin e prodhuesve me përparësi për të dalë në treg të lirë mision të pamundur. Për këtë kërkojmë që kjo pikë të mos ndryshojë dhe të mbetet si datë për informimin e daljes në treg të lirë data 30 nëntor.

Gjithashtu, shoqata nënvizon se prodhuesit me përparësi që kanë investuar në ndërtimin e hidrocentraleve janë qartësisht të diskriminuar nga pikëpamja e sigurisë juridike të investimeve e kërkojnë që ERE të marrë në shqyrtim në mënyrë të veçantë këtë situatë ku investitorët që kanë riskuar të parët duke investuar në një fushë të re, të trajtohen më keq se ata që kanë investuar më vonë.

Po kështu, shoqata ka vlerësuar se afatet për të dërguar parashikimin e prodhimit për vitin pasardhës nuk duhet të ndryshojnë pasi kjo do të sillte një parashikim jo të saktë ndaj vlerësimi duhet të bëhet gjithashtu në fund të nëntorit. Lidhur me pretendimet, shoqata ka kërkuar një seancë dëgjimore mes palëve, në këtë rast prodhuesit me përparësi të energjisë dhe FTL kryesuar nga ERE./Monitor