Emma Roberts dhe partneri i saj, Cody John, pritet të kurorëzojnë dashurinë këtë fundjavë, duke i dhënë fund pritjes pas dy vitesh fejesë.
Sipas mediave amerikane, çifti do të organizojë ceremoninë në pronën familjare të Cody John në Sun Valley, Idaho, ku pritet të mblidhen vetëm familjarë dhe miq të ngushtë.
Aktorja 35-vjeçare bëri publike fejesën në vitin 2024 përmes një postimi në Instagram, ku shfaqi unazën me diamant dhe, me humor, shkroi:
Po e postoj këtë para se mami t’ia tregojë të gjithëve.
Emma Roberts dhe Cody John nisën lidhjen në vitin 2022 dhe që prej atëherë kanë zgjedhur ta jetojnë romancën larg vëmendjes mediatike. Megjithatë, aktori nuk ka hezituar të shprehë herë pas here publikisht dashurinë për partneren me dedikime romantike në rrjetet sociale.
Përpara kësaj historie dashurie, Roberts ishte e fejuar me aktorin Evan Peters. Ajo është gjithashtu nënë e Rhodes, djalit pesëvjeçar që ka nga marrëdhënia me aktorin Garrett Hedlund.
Edhe pse çifti nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar për datën e martesës, burime pranë tyre bëjnë të ditur se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se ceremonia do të zhvillohet në një atmosferë intime, larg syrit të publikut.