Rajoni

Dëbimi i shtetasve turq nga Kosova, mbi 4 vjet burg për ish-shefin e AKI-t!

Rasti “Gylenistët”, dënohet me 4 vjet e 8 muaj burg ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën, Driton Gashi.  Ai u shpall “fajtor” lidhur me dëbimin e paligjshëm të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin lejeqëndrimi e leje pune në Kosovë.

Gjykata Themelore e Prishtinës tha se “Gashi shpallet fajtor për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gashi keqpërdori detyrën zyrtare duke mos përmbushur detyrimet sipas kompetencave e rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej tyre, me pretendimin se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar në procedurën e zbatuar sipas ligjit.

Ndërkaq, u shkarkuan nga akuzat ish-drejtori i Departamentit për Shtetësinë, Azilin dhe Emigracionin në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Ramadani e ish-kreu i Drejtorisë për Migracionin dhe të Huajt në Policinë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Më 24 shkurt 2021, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër tre ish-zyrtarëve, me dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë”.

Më 29 mars 2018, përmes një aksioni të gjerë të policisë, si dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën u arrestuan gjashtë shtetas turq.

Dëbimi i tyre u bë përmes një aksioni të koordinuar mes shërbimeve të Inteligjencës nga Turqia e Kosova. Arrestimit dhe dëbimit i parapriu revokimi i lejeve të qëndrimit, veprim që më vonë gjykata e cilësoi “të paligjshëm”.

Disa prej shtetasve turq kishin leje të përhershme të qëndrimit. Familjet e tyre ngritën një padi ndaj institucioneve të Kosovës në vitin 2018 për arrestim e ndalim arbitrar të të afërmve.

Disa nga familjarët kërkuan azil në Kosovë e të tjerë janë larguar drejt vendeve europiane.

Gjashtë shtetasit turq të arrestuar në Kosovë dhe të dëbuar në Turqi në mars 2018, u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burg në total. Ata punonin në institucione të lidhura me Lëvizjen Hizmet të klerikut turk Fet’hullah Gulen, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, 7 vjet më parë.