Vendosur në të mrekullueshmin bregdet të Amalfi-it, kjo është historia e Gabrielës (Monica Guerritore), pronarja e një hoteli me pamje nga oqeani, në Italinë fqinje. Hera e parë që e takojmë, është duke provuar një fustan nusërie, të bardhë, edhe pse nga mosha, kuptohet se dasma nuk është e para. Në shoqërinë e Xhulias (Dharma Mangia Woods) Gabriela duket në siklet për këtë që po ndodh, edhe pse e bija ngjan të jetë mbështetëse karshi të ëmës. E ndërsa është duke paguar, shitësja e informon se kartat e saj janë të bllokuara. Duke turfulluar ajo shkon në zyrën e të birit, Stefano (Emanuel Caserio), që menaxhon bizneset e familjes. I sikletosur, ai i thotë se llogaritë e saj janë bllokuar prej tij sepse ajo nuk është e vetdijëshme për vendimet që po merr duke vënë në rrezik pasurinë e familjes.
Pas kësaj, rrëfimi kthehet muaj më parë, në festën e ditëlindjes së 60-të të Gabrielës, në të cilën njihemi me personazhet e tjerë të serialit, si Nico (Francesco Del Gaudio), djali i saj adoleshent. Pas festës ajo takon Elian (Giacomo Giannotti), i cili ka probleme me makinën. Ka një shkëndijë mes të dyve, pavarësisht ndryshimit të madh në moshë.
Elia është tërheqës, i mistershëm. Gabriela është melankolike, në kërkim të diçkaje që t’i japë kuptim jetës së saj, tani që fëmijët janë të rritur. Vetmia është një pikë qëndrueshme në jetën e saj thuajse monotone. Mes të dyve, përtej gjasave, nis një lidhje romantike, që i zgjon Gabrielës shqisat, edhe pse ajo nuk ka besim plotësisht tek ai. Fëmijët e saj nuk kanë fare besim tek ky raport. Për ata, Elia është lidhur me të ëmën vetëm për të përfituar financiarisht prej saj. Familja në dukje e lidhur do të shthuret duke ekspozuar sekrete që rrinin skutave prej vitesh duke tronditur themelet e lidhjes mes protagonistëve.
“Deceitful Love” është një re-make i “Gold Digger”, një seriali britanik të 2019. Një gërshetim i Desperate Housewives me novelat e Danielle Steele.
Edhe pse me një fotografi shumë filmike, seriali nuk i kalon përmasat e një telenovele pasditeje, karakterizuar nga skena erotike vend e pa vend e një mbi-aktrim i panevojshëm. Fatkeqsia kryesore e tij është se gjithçka është sipërfaqësore, të gjithë personazhet janë thuajse dy-dimensiolë duke mos e bërë shikuesin të ketë një ndjeshmëri karshi dramave të tyre.
Guerritore është një aktore e mirë që nuk ka frikë të mbi-ekspozohet në skenat e shumta të dashurisë, skena të cilat duhet thënë janë një nga faqet e mira të serialit.
Por melodrama që ndjek të gjitha seritë, dialogjet boshe e të përsëritura, si edhe performancat tejet të lodhshme (o të lodhura) nga pjesa dërrmuese e trupës së aktorëve e fut këtë seri në listën e atyre që nuk ja vlen humbja e kohës për t’i ndjekur.
Xhiruar shumë bukur, me skena magjike të Italisë fatlume, kjo nuk mjafton për ta bërë “Deceitful Love” të vlefshme për dashurinë tonë, madje mashtrimi i vërtetë është pikërisht tek këto imazhe të cilat duan të shesin sapunin për djathë.