Bota

Del emri i të akuzuarit për përdhunimin e infermieres në shtëpinë e Michael Schumacherit!

Piloti australian i garave të shpejtësisë, Joey Mawson, është personi i akuzuar për përdhunimin e njërës prej infermiereve të Michael Schumacherit në rezidencën e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1. Dyshohet se Mawson sulmoi infermieren në rezidencën e familjes Schumacher në Gland të Zvicrës.

Thuhet se ai është mik i djalit të Schumacherit, Mick, i cili vetë është një pilot që arriti në Formula 1 dhe dyshja kanë garuar kundër njëri-tjetrit gjatë karrierës. Mediat zvicerane raportuan se një gjyq filloi të mërkurën për të dëgjuar pretendimet. Procedurat u shtynë për “një datë që do të caktohet më vonë” pasi Mawson nuk u paraqit në gjykatë. Patrick Michod, avokati i paditëses e kundërshtoi shtyrjen, duke argumentuar se provat kundër të pandehurit janë “të pakontestueshme”.

Mawson, dy herë fitues i Kampionatit Australian të Pilotëve S5000, aktualisht po vuan një ndalim tre-vjeçar nga sportet motorike pas një testi pozitiv për drogë në maj 2023. Ai pranoi se kishte marrë substancën e ndaluar meldonium, por tha se e kishte bërë këtë pa e ditur se ishte e ndaluar, jo me qëllim përmirësimin e performancës së tij në drejtim.

Ende nuk ka komentuar publikisht mbi pretendimet për përdhunim, por raportohet se mohon çdo shkelje. Akuzat datojnë që nga viti 2019, me një padi penale të paraqitur tre vjet më parë, më 2022-shin.

Në aktakuzë theksohet se infermierja u përdhunua ndërsa ishte shtrirë pasi kishte konsumuar vodka. Raportohet se përdhunuesi i dyshuar ka qëndruar në shtëpinë e familjes Schumacher natën në fjalë. Asnjë anëtar i familjes Schumacher nuk është i përfshirë në këtë rast.

Në aktakuzë thuhet se gjithçka ndodhi më 23 nëntor 2019, pasi infermierja dhe piloti u kryqëzuan në dhomën e bilardos së familjes Schumacher.Në dokumentet e gjykatës tregohet se e kanë shtrirë infermieren “pa e zhveshur” dhe e kanë lënë në gjumë, me dritat ndezur.

Pak më vonë, piloti u kthye në dhomë dhe e përdhunoi dy herë. Raportohet se Mawson u ka thënë prokurorëve vitin e kaluar se kishte pasur një marrëdhënie konsensuale midis çiftit dhe se ata ishin puthur në një klub në Gjenevë.

Ndërkaq, Michael Schumacher, nuk është parë në publik që kur ra në koma pas një aksidenti me ski në vitin 2013. Ai ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm.