Depozitat me afat në Lekë u rritën vitin e kaluar për herë të parë, pas dhjetë vitesh radhazi në rënie. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të 2024-ës, depozitat me afat në monedhën vendase arritën vlerën e 207 miliardë lekëve, në rritje me 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përmirësimi i normave të interesit të depozitave më 2024-ën duket se ka rritur stimujt e publikut për të vendosur kursimet në depozita me afat. Veçanërisht në gjysmën e parë të vitit 2024, normat e interesit të depozitave me afat shënuan rritje të ndjeshme, deri pranë nivelit 2.2%.
Në gjysmën e dytë të vitit, interesat e depozitave pësuan një korrektim në ulje, duke ndjekur edhe kursin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Vitin e kaluar, Banka Qendrore uli dy herë normën bazë të interesit, përkatësisht në muajt korrik e nëntor. Megjithatë, duke qenë se efekti mbi normat e interesit, në rastin e depozitave është më i vonuar në kohë, ecuria e depozitave me afat në Lekë pati një ecuri pozitive në vitin 2024, pas një dekade të vazhdueshme në rënie.
Rritja e normave të interesit të depozitave është nxitur edhe nga një kërkesë në rritje e sektorit bankar për fonde në monedhën vendase nga sektori bankar. Në veçanti, një grup i bankave të mesme, i shfaqur shumë aktiv në kredidhënie, ka konkurruar me norma tërheqëse interesi për depozita të reja, duke kontribuar në zgjerimin e depozitave me afat të sistemit bankar.
Për vitin 2024, portofoli i kredisë në lekë u rrit me 14.3% dhe përbënte 56.2% të portofolit të kredisë për ekonominë, nga 55.2% që zinte një vit më parë. Duke filluar nga viti 2014, depozitat me afat në Lekë nisën një cikël rënieje, që u ndikua sidomos nga ulja graduale e normave të interesit. Kursimet në banka filluan të dominoheshin kryesisht nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat.
Vetëm vitin e kaluar, depozitat me afat në Lekë iu kthyen zgjerimit, të mbështetura edhe nga rritja e normave të interesit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat bankare në total vitin e kaluar u rritën me 4.9%. Të ndara sipas valutave, rritja ishte më e lartë për Lekun, me 7.2% krahasuar me një vit më parë, ndërsa depozitat në valutë të huaj (të raportuara në Lekë) shënuan një rritje më të ngadaltë, me 3.4%. Kjo rritje është sidoqoftë e tkurrur ndjeshëm nga efekti negativ i kursit të këmbimit./Monitor