Rajoni

Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në përpjekjen e njëmbëdhjetë për ta konstituar përbërjen e re të dalë nga parlamentaret e 9 shkurtit, sërish pa sukses. Deri tani, kanë kaluar vetëm dy pika të axhendës së seancës: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por në 7 votime, kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme, 61. Edhe më 3 maj, deputetët refuzuan që të formohet një komision për votim të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës, çka u propozua nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, gjatë përpjekjes së 9-të për konstituimin e Kuvendit.

Në vazhdimin e 10-të të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thanë se nuk është kushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë. Para përpjekjes së 9-të për konstituimin e Kuvendit, më 1 maj, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e PDK-së e të LDK-së.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një akord se si të shkohet përpara. Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet.

Pse po refuzohet Haxhiu?

Haxhiu po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar, madje AAK-ja ka përmendur edhe dy emra Saranda Bogujevcin e Shqipe Selimi, po nga partia e kryeministrit në detyrë, Kurti, duke thënë se do t’i votonte.

LDK-ja shprehet se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit. Por, LVV-ja ka argumentuar se Haxhiu është kandidate me meritë e ka refuzuar thirrjet për të vendosur dikë tjetër në emër të saj.

Partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, e kanë akuzuar LVV-në se po synon që të imponojë votimin e Haxhiut dhe me “qëllim po bllokon procesin”, pasi kanë argumentuar se kjo parti nuk i ka as votat për qeverinë e re të Kosovës, proces që pason konstituimin e Kuvendit.

Por, LVV-ja ka deklaruar se nuk po i detyron partitë që ta mbështesin kandidaten e tyre për kryeparlamentare. Kjo parti, ka thënë se nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për një cikël të ri zgjedhor, si opsionin e fundit për dalje nga situata e krijuar.

Votimi i kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re të Kosovës. LVV-së i takon të propozojë të mandatuarin për ekzekutivin. Nëse brenda 15 ditësh nuk e formon qeverinë, atëherë presidentja Vjosa Osmani ka të drejtë të mandatojë çdo parti që i garanton 61 vota. Nëse edhe emri i dytë dështon të formojë ekzekutivin, atëherë Osmani shpall mbajtjen e zgjedhjeve të reja.