Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati, tha se me refuzimin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike, (PDK), Lidhja Demokratike (LDK), Aleanca për Ardhmërinë (AAK) u panë se janë “kundër zhbllokimit, kundër konstitutimit të Kuvendit”. Sipas tij, votimi i fshehtë për konstituimin e Kuvendit u mundësua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014.
PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe refuzuan ta zhbllokojnë procesin. Nuk janë racionale qëndrimet e partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Partia jonë nuk tërhiqet nga qëndrimi se Albulena Haxhiu duhet të votohet kryetare e Kuvendit.
Deputetët dështuan për të 9-ën herë radhazi në përpjekjen për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës. Kryesuesi Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që u refuzua nga partitë e tjera. Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese e parlamentareve të 9 shkurtit, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Nga disa parti politike, Haxhiu shihet si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate me meritë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, foli para mediave pas dështimit të përpjekjes së nëntë për konstituimin e Kuvendit. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit “ka vendosur ta vazhdojë talljen”, teksa shtoi se me propozimin për ndërrim të formës së votimit LVV-ja ka bërë “shkelje të hapur kushtetuese”. Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij kundër votimit të të propozuarës së LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Nuk kalon Albulena Haxhiu dhe pikë.
Ai pyeti se çfarë borxhi i ka Kurti Haxhiut që nuk po ndryshon emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, siç kanë kërkuar partitë tjera. Krasniqi shtoi se Kurti po e konsideron më të rëndësishme Haxhiun se Kuvendin e Kosovës.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka folur para mediave pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
U bë edhe një shkelje tjetër kushtetuese, ligjore, me arbitraritet u tentua të ndryshohet mënyra e votimit. Rregullorja e Kuvendit përcakton mënyrat e votimit… Kjo përcaktohet në fillim të procesit. Asnjëherë në histori nuk ka ndodhur të ndryshohet procesi dhe është shkelje që mënyra e votimit të ndryshohet pasi ka filluar procesi.
Deputetja e LDK-së ka thënë se partia e saj sot nuk mori pjesë në takimin e thirrur nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, pasi “nuk dëshiron të ketë një marrëveshje politike me LVV-në”.