Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e një 78-vjeçari në Bulgarec. Mësohet se trupi i pajetë i Gëzim Vijës u gjet mëngjesin e djeshëm nga punonjësi i postës, i cili shpërndan pensionet. Ai e ka thirrur për të dalë dhe kur nuk ka marrë përgjigje ka njoftuar fqinjët e më pas kanë hapur derën e shtëpisë, ku në një prej dhomave gjendej trupi i pajetë i të moshuarit.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se 78-vjeçari kishte një plagë të thellë në kokë, e shkaktuar me mjet të fortë, çfarë i ka sjellë vdekjen. Dyshohet se autori dhe viktima janë përleshur para se 78-vjeçari të qëllohej për vdekje me mjet të fortë.
Ekspertët kriminalistë janë kthyer përsëri duke kryer veprimet hetimore brenda banesës për të zbardhur dinamikën e krimit. Ndërkohë, pjesë e veprimeve hetimore është dhe një automjet në pjesën e jashtme të banesës, në të cilin po kryhen veprimet e mëtejshme.
Vazhdon marrja në pyetje e familjarëve dhe të afërmve të viktimës, por deri tani deklarimet e tyre nuk kanë dhënë informacione të vlefshme që do ta orientonin policinë drejt identifikimit të autorit.