Mendoni se po kaloni shumë kohë duke lëvizur ekranin e telefonit? Nuk jeni të vetëm. Një i rritur amerikan kalon mesatarisht mbi dy orë në ditë në rrjete sociale, ndërsa adoleshentët e dyfishojnë këtë kohë në platforma si TikTok e Instagram.
Meqë ekspertët paralajmërojnë për varësinë nga rrjetet sociale, gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë mënyra për t’u shkëputur, gjë që shihet edhe nga rritja me 60% e kërkimeve në Google për “detox nga rrjetet sociale” muajt e fundit.
Por a ka vërtet efekt largimi përkohësisht nga rrjetet? Studiuesit thonë po, dhe përfitimet për trurin dhe mirëqenien mund t’ju befasojnë.
Efektet e rrjeteve sociale në tru
Shumë prej nesh dyshojnë se kalojnë tepër kohë duke lëvizur pa fund nëpër feed, një shqetësim që u theksua edhe nga Oxford University Press kur zgjodhi “brain rot” (kalbje e trurit) si fjalën e vitit 2024. Por të gjesh forcën për të ulur përdorimin nuk është e lehtë, pasi rrjetet sociale shfrytëzojnë sistemin e shpërblimit të trurit tonë.
Anna Lembke, eksperte në mjekësinë e varësive dhe autore e librit Dopamine Nation: Finding Balance in the Age of Indulgence, shpjegon se njerëzit mund të bëhen të varur nga mediat digjitale ashtu si nga drogat. Çdo pëlqim, koment apo video maceje shkakton një shpërthim dopaminea, kimikatja e “ndjesisë së mirë” në tru.
Por truri ynë është ndërtuar për të ruajtur një ekuilibër të përgjithshëm dopaminash. Përdorimi i pakufizuar e prish këtë ekuilibër, duke bërë që truri të prodhojë më pak dopaminë ose ta ngadalësojë transmetimin e saj. Me kalimin e kohës, kjo gjendje e “mungesës së dopaminës” na detyron të kalojmë edhe më shumë kohë online për t’u ndier “normalë”.
Ndërprerja e këtij cikli, thotë Lembke, i jep mundësi trurit të rivendosë rrugët e shpërblimit dhe të ndalë konsumimin kompulsiv që çon drejt “kalbjes së trurit”.
Si funksionon detox-i
Nuk ka një zgjidhje unike për të gjithë, thotë Paige Coyne, bashkautore e një studimi mbi ndikimet shëndetësore të një detox dyjavor në rrjete sociale me 31 të rinj. Sipas saj, çelësi është vendosja e objektivave realiste, disa mund të duan të heqin dorë krejtësisht, ndërsa të tjerë të përgjysmojnë kohën online.
Lembke sugjeron që periudha ideale e shkëputjes të jetë të paktën katër javë. Megjithatë, edhe pushimet e shkurtra japin efekt. Një studim me 65 vajza 10–19 vjeç tregoi se një ndërprerje tre-ditore nga rrjetet sociale u rriti vetëvlerësimin dhe vetëdhembshurinë, duke ulur ndjenjën e turpit për trupin.
Përballja me simptomat e tërheqjes
Pavarësisht nëse reduktoni përdorimin ditor apo e ndërprisni krejt për disa javë, ditët e para janë më të vështirat. Shfaqja e simptomave të tërheqjes, si ankth apo dëshirë e fortë për t’u futur online, janë normale, thotë Lembke. Por përballimi i tyre i jep trurit kohë të rivendosë ekuilibrin dhe e thyen ciklin e varësisë.
Në studimin dyjavor, ku përdorimi u kufizua në 30 minuta në ditë, shumica e pjesëmarrësve raportuan më shumë kënaqësi nga jeta, më pak stres dhe gjumë më të mirë.
Mbështetja nga miqtë mund ta bëjë më të lehtë këtë proces. Në një studim me adoleshente, pjesëmarrëset komunikonin përditë mes tyre në një grup WhatsApp për të ndarë përvojën dhe për të mos u ndier të vetmuara.
Si të ruani ekuilibrin me rrjetet sociale
Pas një periudhe detox-i, është e rëndësishme të vendosim barriera për të mos rënë sërish në përdorim kompulsiv. Kjo mund të nënkuptojë të mos e mbajmë telefonin në dhomën e gjumit apo të fikim njoftimet.
Gjithashtu, zëvendësimi i “goditjeve të shpejta” të dopaminës me kënaqësi më të ngadalta, si muzika apo gatimi, ndihmon të mbahet ekuilibri. Këto aktivitete kërkojnë vëmendje dhe përpjekje, por shpërblimi që sjellin është më i shëndetshëm.
Ekspertët sugjerojnë gjithashtu që gjatë vitit të planifikojmë periudha të shkurtra shkëputjeje për të rivlerësuar raportin tonë me rrjetet sociale.
“Nuk mund t’i heqim qafe krejtësisht,” thotë Woodruff, “por pushimet e herëpashershme na ndihmojnë të rivendosim balancën dhe të kuptojmë më mirë se si na ndikojnë.”