Lifestyle

Dhuna psikologjike e kryer nga punëdhënësi apo kolegët ndaj një individi, gjithçka rreth fenomenit ‘mobbing’!

Mobbing vjen nga folja angleze “to mob”. Në mjedisin e punës, termi merr kuptimin e dhunës psikologjike të kryer nga punëdhënësi apo kolegët ndaj një individi të cilin e detyrojnë deri në dorëheqje. Ka dy lloje mobbing; Horizontal: i bërë nga kolegët për motive të ndryshme, mes të cilave konkurrencë, karriera, zilia apo racizmi, kultura, feja e politika. Tjetri është vertikal; i kryer nga punëdhënësi apo shefat për të detyruar punonjësit deri në atë pikë sa të japin dorëheqjen nga puna.

Para se të merrte rëndësi ligjore, mobbing ka qenë objekt i studimeve të ndryshme në fushën mjekësore. Në punë, fenomeni merr një formë të terrorit psikologjik që përfshin një sjellje armiqësore dhe situata konfliktualiteti sistematik nga ana e një apo më shumë personave me qëllim të shkaktojë dëme të llojeve të ndrsyhme përballë personit të synuar. Punonjësi, viktimë e mobbing, bëhet objekt i vazhdueshëm i armiqësive dhe persekutimit, që ndodhin me frekuencë sistematike në harkun e një periudhe jo shumë të shkurtër kohe, duke shkaktuar vuajtje mendore, psikosomatike dhe sociale.

Pasojat e mobbing prekin në thelb ‘viktimën’ duke i shkaktuar dëme të mëdha si në termat e humbjeve ekonomike dhe në problemin me shëndetin. Nervozizmi që shkaktohet nga situata sjell shpesh probleme në frymëmarrje, takikardi, dhimbje koke, marrje mendsh, probleme të të shprehurit dhe komunikimit etj. Pasoja të tjera psikopatologjike më të shpeshta janë problemi me përshtatjen, ankthi dhe ndryshimi i sjelljes. Mobbing shkakton dhe dëme financiare, pas vizitave të përsëritura mjekësore dhe humbjes së punës si akti final i procesit të persekutimit. Punonjësit “viktimë” reduktojnë ndjeshëm performancën në punë.