Travel

Diell, kulturë dhe magjia e vjeshtës pa turma, Europa në tetor!

Tetori është sezon i ndërmjetëm në shumë vende të Europës, periudha e artë për ata që duan të shmangin çmimet e larta dhe turmat e verës, por gjithsesi të shijojnë motin e butë, festivalet kulturore e peizazhet e arta të vjeshtës. Nga dielli mesdhetar tek verërat e reja e deri te magjia e mjegullës në Alpe, ja disa nga destinacionet më të mira.

Për diellin e fundit të sezonit: Malta dhe Qipro

Në Maltë, temperaturat në tetor arrijnë 25°C. Valletta pret vizitorët me katedrale baroke dhe kopshte panoramike, ndërsa Notte Bianca, më 5 tetor, sjell muze e pallate të hapura deri vonë me performanca e ekspozita. Adhuruesit e natyrës mund të shëtisin në Dingli Cliffs ose të eksplorojnë Blue Lagoon.

Edhe Qipro ofron mot ideal me detin ende të ngrohtë (24°C). Përveç plazheve, vizitorët mund të zbulojnë rrënojat antike të Kourionit, malet Troodos apo festivalin e verës në Limasol (27 shtator–5 tetor).

Oktoberfest në Gjermani

Nga 20 shtatori deri më 5 tetor, Mynihu dhe Berlini presin festivalin më të madh popullor në botë. Përveç birrës, vizitorët mund të shijojnë paradat tradicionale, muzikën me instrumente frymore dhe specialitete bavareze si Hendl apo Bratwurst. Berlini ofron një version më të vogël e më pak të mbingarkuar, i preferuar nga ata që duan atmosferë festive pa turmat e mëdha.

Halloween në Transilvani

Për një përvojë të frikshme, Kalaja e Bran-it në Rumani ofron ture nate me dhoma sekrete dhe legjenda gotike. Festa kryesore mbahet të shtunën e javës së Halloween-it, me festa e ngjarje tematike në oborrin e kështjellës.

Festa e verës në Paris

Nga 8 deri më 12 tetor, lagjja Montmartre feston korrjen e rrushit me parada, muzikë dhe degustime. Tregu i madh i hapur ofron djathëra, verëra dhe produkte tipike franceze, ndërsa vizitorët mund të marrin pjesë në ture guiduar të Clos Montmartre.

Magjia e vjeshtës në Alpe

Liqeni Bled në Slloveni ofron qetësi, pamje përrallore dhe mundësi shëtitjeje e biçikletash mes ngjyrave të arta. Kalaja mesjetare dhe Triglav National Park janë atraksione kryesore. Për një përvojë më autentike, vizitoni liqenin Bohinj.

Hallstatt në Austri është tjetër perlë e tetorit, me shtëpi shumëngjyrëshe, kafe të ngrohta dhe pamje spektakolare nga Skywalk. Vizitorët mund të zbresin në minierën më të vjetër të kripës në botë ose të eksplorojnë shpellën e akullit Dachstein. /shqip.al