Aktualitet Sport

Dinamo “Kampione e Dimrit”, Tirana rrëshqet në zonën e ftohtë

Kategoria Superiore luajti dy ndeshjet e saj të radhës në javën e 19-të, e cila është dhe e fundit për këtë vit.

Në kryesfidën e javës, Dinamo arriti një fitore të rëndësishme përballë Egnatias, duke triumfuar 2-1 në Elbasan. Mandela dhe Nani ishin ata që shënuan për “Nëndetësen”, teksa Ndreca shkurtoi diferencën në minutën e 67’. Gjithsesi rrogozhinasit nuk arritën më të reagonin, me tre pikët që i kaluan skuadrës së Ilir Dajës, e cila shpallet kështu “Kampione Dimri”.

Në duelin tjetër të luajtur më herët këtë të shtunë, laçi përmbysi Tiranën me rezultatin 3-1, me bardheblutë që kanë rrëshqitur kështu në vendin e 8-të, duke rrezikuar rënien nga kategoria.

REZULTATET:

DINAMO 2-1 EGNATIA

Mandela 26’, Nani 59’ / E. Ndreca 67’

LAÇI 3-1 TIRANA

William 47’, 51’, Traore 61’ / A. Ndreca 40’

RENDITJA:

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja u shpreh i lumtur pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Egnatias.

“Kemi sulmin më të mirë pasi kemi dy golashënues si Mandela dhe Zabërgja me nga 8 gola. Kemi Nanin dhe Bregun që kanë nga 5 gola edhe pse nuk kanë luajtur në fillim. Kjo është një dhuratë që lojtarët ja bëjnë vetes së tyre, por edhe presidentit dhe drejtuesve që kanë investuar goxha dhe janë super korrekt. Por edhe stafit, pasi ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në intensitet maksimal pune.

Besoj se kemi merituar rritje në pikë, por edhe në lojë. Sot kishim përballë Egnatian, një nga ekipet më të mira shqiptare, lavdërime edhe për Tetovën për punën që ka bërë. Ishte një ndeshje me kampionnë në fuqi, që ne nuk e kishim fituar sipas statistikave. Kjo është një punë që filloi nga merkato, e deri më tani që kemi 2-3 pushime, s’besoj se do të kemi më shumë.

Një pjesë e strategjisë së sotme ishte e bashkëbiseduar me lojtarët. Zabërgja me Goudiaby kanë vetëm një seancë stërvitore me ekipin. Mungesat tani dihen, s’po i përmend. Të gjitha këto bënë që ne të zgjidhnim një strategji ndryshe. Edhe Egnatias është vështirë që t’i bësh presing lart. Besoj që me të gjitha këto që përmenda, na rezultoi një strategji e duhur. Më e rëndësishme është që morëm një 3 pikësh shumë të fortë, ndaj një ekipi të fortë si Egnatia.

Aleksi është një lojtar që e nxjerr mirë topin nga poshtë lart. Pothuajse të gjithë këto topa kalojnë nga këmbët e Aleksit. Egnatia ndryshoi dhe kaloi me 4 mbrojtësa, duke bërë që edhe në të ndryshonim më pas. Kjo për shkak për të eliminuar Aleksin, që është pjesë e rëndësishme e skuadrës së Egnatias. Në fund fare, duhet të kemi edhe ne guximin për të hedhur në fushë lojtarët e rinj.

Sa besim te titulli kampion? Kjo periudhë kampionati na vlen për të rigjeneruar anën fizike dhe psikologjike. Lojtarët kanë pasur ngarkesë, pasi kemi pasur shumë dëmtime. Natyrshëm që do na bëjë mirë për këtë. Nuk mendoj se çfarë do të ndodhë në fund të kampionatit, t’i marrim gjërat siç i kemi marrë deri më tani. Si fillim të përmirësohemi, e më pas të shohim ndeshjen e radhës.

Kjo është Dinamo e Ilir Dajës? Si natyrë nuk kënaqem, nga një standard në një tjetër. Kështu duhet të jetë besoj. Kemi një kimi midis stafit dhe lojtarëve, është treguar në këtë gjysmë të kampionatit. Por kemi shumë punë për të bërë, të minimizojmë ato që nuk janë të mira.

Gëzuar festat e fundvitit, të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni”, tha Ilir Daja

Tekniku i Egnatias, Edlir Tetova analizoi humbjen 2-1 ndaj Dinamos:

“Nuk mendoj se u vendos ndeshja nga detajet. Mendoj se ishim më shumë në zotërim të lojës, mendoj më shumë nga dy tranzicione që i kishim përgatitur për të bërë faull, se sulmi i Dinamos ka shpejtësi. Por kështu ndodhi dhe e pësuam, mendoj se reaguam, edhe në pjesën e parë dhe të dytë, ishim para portës, por pa ia dalë. Topi apo pasi i fundit mungoi te lojtarët, ndaj duhet ta pranojmë.

Mendoj se 25-30 minutat e ndërrimeve, ishin prezent. Kur kalojnë minutat, gjithmonë bëhet edhe më e vështirë, por ishim prezent aty si pas golit të parë. Kishim mundësi të barazonim por Dinamo ishte shumë më e ngjeshur e nuk ia arritëm qëllimit. Mendoja se do të kishte pak më shumë lojë efektive, por tashmë ajo është e kaluara.

Kishim dendësi në një krah për të fituar gjerësi në krahun tjetër, gjë që normalisht u duk dhe ua kërkova në pushim të pjesës së parë. Por mungoi pasi në atë krah dhe pastaj nuk shkoi asgjë.

Nëse kemi punuar në diçka dhe në ndeshjet e tjera nuk ka dalë, sot 3-5-2 si e filluam ishte më efikas. Ne kemi gjithë këtë kohë që e punojmë, në momentin që ti je prezent para portës, do të thotë që çdo gjë po shkon mirë. Siç e thashë, na mungoi pasi i fundit, mendoj se lojtarët duhet të ishin më altruistë për të shërbyer te shokët.

Mungesa e përmbysjeve? Është fakt. Normalisht këtë vit nuk ka ndodhur kjo gjë, mendoj që pastaj është edhe për meritë të kundërshtarit, ata zbritën gati me dy linja, me vetëm një lojtar në sulm. Do të punojmë edhe për këtë”, tha Tetova.