Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përcolli mesazhin e ruajtjes së gjuhës shqipe nga shqiptarët e diasporës. Njoftohet se nismës së Kreut të Shtetit “iu përgjigjën përfaqësues të komunitetit shqiptar që jetojnë në vende të ndryshme të botës, të cilët ruajnë gjuhën amtare ndër breza, duke respektuar njëherazi diversitetin gjuhësor e kulturor dhe shumëgjuhësinë”.
Përmes interpretimit të tyre, një grup fëmijësh të shqiptarëve në diasporë përcollën vargjet e poezisë: “Gjuha Shqipe” e Mitrush Kutelit, një nga veprimtarët shqiptarë që veç ndihmesës për ekonominë e vendit, përmbledhjes së rrëfenjave folklorike dhe lëvrimit të gjuhës përmes përkthimeve në shqip, iu përkushtua edhe botimeve e shpërndarjes së librit shqip për mërgimtarët.
Presidenti i Republikës e ka në vëmendjen e tij ruajtjen e gjuhës amtare dhe përcjelljen e saj te fëmijët nga familjet shqiptare që jetojnë jashtë vendit, duke inkurajuar gjithashtu, hapjen e sa më shumë shkollave shqipe në komunitetet shqiptare nëpër botë përmes nismave vullnetare e institucionale.
Një përpjekje të tillë, Kreu i Shtetit e cilëson jetike për ruajtjen e gjuhës shqipe, si një nga elementet themelore të identitetit tonë kombëtar.
Gjuha shqipe është tipari themelor i identitetit tonë kombëtar, që duhet të na bashkojë në përpjekjen për ta ruajtur, trashëguar dhe pasuruar atë, shkroi presidenti Begaj.
Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare kremtohet në të gjithë botën si Jubile i Argjendtë, pasi mbushen 25 vite nga celebrimi i saj dhe në fokus janë përpjekjet për promovimin e diversitetit gjuhësor, mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara dhe inkurajimi i edukimit shumëgjuhësor.