Ish-kandidati për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, ka shkaktuar debat të madh pas deklaratave të bëra gjatë fushatës zgjedhore, ku kritikoi menaxhimin financiar të klubit dhe pagat e larta të disa drejtuesve.
Riquelme pretendoi se dhjetëra punonjës jo-sportivë të klubit përfitojnë paga mbi 1 milion euro në vit, ndërsa veçoi edhe drejtorin ekzekutiv Jose Angel Sanchez, paga e të cilit sipas tij arrin rreth 5 milionë euro në sezon.
Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të forta brenda Real Madridit, pasi informacionet e publikuara konsiderohen konfidenciale dhe mund të kenë ardhur vetëm nga burime të brendshme të klubit.
Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e Real Madridit kanë nisur verifikime për të identifikuar personin që ka rrjedhur informacionet, duke dyshuar se ato janë përdorur për të dëmtuar imazhin e presidentit Florentino Perez, i cili u rizgjodh në krye të klubit.
Përveç çështjes financiare, Riquelme ngriti shqetësime edhe për rinovimin e stadiumit Santiago Bernabeu dhe planet e Florentino Perez për ndryshime në modelin e pronësisë së klubit.