Bota

Donald Trump po shqyrton uljen e intensitetit të luftës ndaj Iranit!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duket se po shqyrton “uljen” e intensitetit të luftës në Lindjen e Mesme, pavarësisht raportimeve në rritje se mijëra trupa tokësore amerikane janë nisur drejt rajonit, ndërsa lufta me Iranin hyri në javën e katërt.

Ne po i afrohemi shumë arritjes së objektivave tona e po shqyrtojmë uljen e përpjekjeve ushtarake në Lindjen e Mesme sa i përket regjimit terrorist të Iranit, shkroi Trump në rrjetin Truth Social, një ditë më parë.

Në postim, shefi i Shtëpisë së Bardhë listoi qëllimet kryesore të SHBA-ve në këtë luftë, përfshirë degradimin e ushtrisë së Iranit, si edhe parandalimin që Teherani të mund të zhvillojë një armë bërthamore.

Po ashtu, Donald Trump sugjeroi se do të jetë në duart e shteteve të tjera që përdorin Ngushticën e Hormuzit e që praktikisht, tani është mbyllur nga Irani, të sigurojnë lundrimin e anijeve në këtë rrugë jetike ujore e gjithashtu, të ndihmojnë në frenimin e rritjes së çmimit të naftës, që po kërcënon të trondisë ekonominë botërore.

Ngushtica e Hormuzit do të duhet që të ruhet e të mbikëqyret, sipas nevojës, nga shtete të tjera që e përdorin. Amerika nuk e përdor. Nëse kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto shtete në përpjekjet e tyre në Hormuz, por kjo nuk do të duhej të ishte e nevojshme pasi të eliminohet kërcënimi i Iranit. E rëndësishme është se do të jetë operacion i lehtë ushtarak për to.

Deklaratat e fundit të presidentit Trump, në fakt duken disi kontradiktore me komentet e tij të para pak kohëve. Përmes tyre, ai sugjeronte se përderisa ushtria dhe udhëheqja e Iranit pothuajse janë shkatërruar nga sulmet ajrore të SHBA-ve e Izraelit, ende ka punë që duhet bërë.

Më herët dje, Trump vuri në dukje se nuk sheh arsye që të kërkojë një armëpushim në luftë e sërish iu bëri thirrje shteteve të tjera, përfshirë Kinës, të ndihmojnë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Shiko, ne mund të kemi dialog, por unë nuk dua një armëpushim, u shpreh presidenti amerikan duke folur për gazetarët. E dini, nuk arrihet armëpushim kur praktikisht keni shkatërruar palën tjetër.