Aktualitet Politikë

Kryeministri Rama: Ulim akcizën 20% kur çmimi i naftës të kalojë 220 lekë!

Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama tha se çmimi i naftës parashikohet të rritet dhe vuri në dukje se nëse kalon vlerën 220 lekë do të ketë ulje me 20% të akcizës së karburantit.

Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje. Për këtë, ne kemi vendosur në lëvizje Bordin e Transparencës, çka e kemi përdorur, siç e mbani mend edhe më parë e po ashtu, kemi marrë edhe një vendim që për çdo ditë kur çmimi të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve do të ketë menjëherë ulje, me 20% të akcizës së naftës.

Deri tani nuk shikoj impakt në çmime të tjera. Fatmirësisht, jemi në kushtet kur kemi një borxh e një deficit jo vetëm nën kontroll, por edhe goxha në atë nivel që na mundëson që në momente të tilla, të kemi edhe një hapësirë në dispozicion, për të mos lënë vetëm askënd, duke pasur parasysh në radhë të parë ata që kanë më shumë nevojë.

Për të adresuar edhe një herë çdo diskutim legjitim e çdo propozim që vjen nga rrugë të ndryshme në mjedisin publik, ne këtu, në këtë fazë që nuk e di askush sa do të zgjasë, në radhë të parë kemi në vëmendje pensionistët dhe nuk do të bëjmë asgjë që nuk do të shkojë për të siguruar ata, së pari.

Në fund të ditës, nëse çmimet impaktohen, pensionistët janë ata që e vuajnë më shumë se të tjerët impaktin mbi çmimet.

Nga ana tjetër, kemi deklaruar më parë dhe tani jemi në një fazë të avancuar të formësimit të një entiteti shtetëror, i cili do të ndërhyjë në tregun e naftës që do të krijohet së shpejti.

Po punohet për këtë e do të marrë përsipër një veprimtari që do të shkojë nga garantimi i rezervës shtetërore, te monitorimi i vazhdueshëm i tregut e patjetër, edhe te sigurimi i furnizimit për të mos lejuar asnjë spekulim me çmimet.

Jemi në fund të një procesi që do të materializohet në 1 apo 2 muajt në vijim, për të futur komponentët e rinj në monitorimin e tregut të naftës, që do të sjellë rezultate të shpejta edhe në aspektin e evazionit e kontrabandës së naftës, që vazhdon të jetë prezente në sektor.