Sulmet e Ukrainës me dronë shkaktuan kaos të madh në trafikun ajror të Rusisë në fundjavë. Aeroportet më të mëdha që i shërbejnë Moskës dhe Shën Petersburgut, ishin mes atyre që dje u detyruan t’i kufizonin lëvizjet. U anuluan rreth 400 fluturime, për shkak të masave të sigurisë ajrore. Pasagjerëve iu rekomandua të udhëtonin me tren si alternativë.
Deri në orën 6 të mbrëmjes sipas orës së Moskës, 171 fluturime u anuluan në Aeroportin Sheremetyevo. Pesëdhjetë e gjashtë u shtynë për më shumë se dy orë.
Në Aeroportin Pulkovo në Shën Petersburg, qyteti i dytë më i madh i Rusisë u njoftua anulimi i 90 fluturimeve dhe shtyrja e 37 të tjerëve për të paktën dy orë.
Duhet theksuar se ekziston lidhja hekurudhore mes Shën Petersburgut dhe Moskës. Biletat janë të disponueshme në të dyja drejtimet, si për trenat e distancave të gjata, ashtu edhe për trenat me shpejtësi të lartë. Fluturimet u anuluan edhe në aeroportet në Ivanovo, Kalluga, Kirov, Pskov e Tambov.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se gjashtë dronë ukrainas u rrëzuan ndërsa po i afroheshin kryeqytetit, por nuk dha detaje për dëmet e mundshme. Guvernatori i rajonit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, deklaroi se u plagosën dy civilë pranë zonës kufitare.
Sulmet e Ukrainës pasuan disa bombardime intensive të forcave ruse në Kiev, ku u vranë dy persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. 5 vetë humbën jetën si pasojë e bombardimeve të Rusisë në disa vendbanime në rajonin e Donjeckut.
Moska mohon se sulmon zonat civile, pavarësisht provave të shumta për sulme të tilla që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt 2022. Në fundjavë, presidenti Zelensky, mirëpriti marrëveshjet e reja me aleatët që siç tha do t’i sigurojnë “qindra mijëra” dronë të rinj në luftën kundër Rusisë.
Kievi po përgatit hapa të rinj, që do ta bëjnë Rusinë ta ndiejë vërtet koston e kësaj lufte.
Zelensky iu kërkoi partnerëve perëndimorë që t’i dërgojnë më shumë armë e të rrisin presionin mbi Rusinë përmes sanksioneve financiare shtesë. Më 4 korrik, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se homologu rus, Vladimir Putin, e kupton se mund të përballet me sanksione të reja, nëse Moska vazhdon t’i refuzojë përpjekjet e Uashingtonit për armëpushim në Ukrainë.
Ne flasim shumë për sanksione dhe ai e kupton se ato mund të vijnë. Ai do të shkojë deri në fund, thjesht të vazhdojë të vrasë njerëz. Kjo nuk është mirë.
Trump përsëriti më 6 korrik se ishte “i zhgënjyer” nga biseda telefonike me Putinin, e zhvilluar më 3 korrik. Shumë vëzhgues shprehen se Putin nuk nxiton të japë dakordësi mbi një marrëveshje armëpushimi, pasi beson se po e fiton luftën në Ukrainë.
Megjithatë, Rusia ka pësuar humbje të mëdha në forca dhe ekonomia ruse mori goditje të madhe për shkak të shpenzimeve në rritje për mbrojtjen.