Dua Lipa ka ndarë me fansat dhe udhëtarët një listë me vendet e saj të preferuara në qytete të ndryshme të botës, ndërsa në qendër të rekomandimeve të saj nuk mungon as Prishtina.
Në bashkëpunim me Google Maps dhe platformën e saj “Service95”, këngëtarja me famë botërore ka përzgjedhur disa prej vendeve që, sipas saj, ofrojnë përvojën më autentike për ata që duan të njohin kryeqytetin e Kosovës.
Mes pikave që ajo sugjeron të vizitohen është Galeria Kombëtare e Kosovës, një nga institucionet më të rëndësishme të artit në vend, e njohur për ekspozitat që pasqyrojnë kulturën dhe krijimtarinë bashkëkohore kosovare.
Për ata që duan të ndiejnë ritmin e jetës së përditshme të qytetit, Dua rekomandon edhe Tregun e Gjelbër, një nga hapësirat më tradicionale dhe më të frekuentuara në Prishtinë. Pranë tij ndodhet edhe Muzeu Etnologjik i Kosovës, një objekt historik i shekullit XVIII që prezanton trashëgiminë kulturore dhe historinë e vendit.
Në listën e artistes nuk mungojnë as destinacionet gastronomike. Ajo sugjeron disa prej vendeve më të njohura për ushqim dhe kafe, si Tiffany, Soma Slow Food, Churchill dhe Basilico, të cilat sipas saj ofrojnë atmosferë të veçantë dhe eksperienca unike për vizitorët.
Një vend të rëndësishëm në rekomandimet e saj zë edhe Sunny Hill Festival, festivali muzikor që është kthyer në një nga ngjarjet më të mëdha në rajon dhe që organizohet nga vetë Dua Lipa së bashku me babanë e saj, Dukagjin Lipa.
Ndërkohë, duke qenë një adhuruese e librave, këngëtarja ka përfshirë në listën e saj edhe librarinë Dukagjini, një prej destinacioneve më të njohura për lexuesit dhe dashamirët e kulturës në Prishtinë.
Falë këtij projekti, përdoruesit e Google Maps mund të eksplorojnë lehtësisht vendet e rekomanduara nga Dua Lipa dhe të zbulojnë qytetin përmes syve të një prej artisteve më të suksesshme shqiptare në botë.