Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, Callum Turner, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me një festë madhështore në Siçili, e cila po cilësohet si një nga dasmat më spektakolare të vitit në botën e showbiz-it.
Këngëtarja me origjinë shqiptare, 30 vjeçe, dhe aktori britanik, 36 vjeç, organizuan një ceremoni luksoze në rezidencën historike Villa Valguarnera në Bagheria, pranë Palermos, vetëm gjashtë ditë pasi kishin zyrtarizuar martesën e tyre në Londër.

Sipas raportimeve të Daily Mail, festa tre-ditore mblodhi rreth 200 të ftuar dhe kushtoi afërsisht 1.7 milionë euro. Atmosfera festive vazhdoi deri në orën 06:00 të mëngjesit, ndërsa mbrëmja u mbyll me një spektakël fishekzjarrësh që ndriçoi qiellin sicilian për dhjetë minuta.
Një nga momentet më emocionuese të ceremonisë ishte performanca surprizë e Elton John, i cili interpretoi hitin e tij legjendar “Your Song” vetëm pak pasi mbërriti me avion privat në Siçili.
Një person e mbante nga secili krah për ta udhëhequr, sepse nuk mund të shihte mirë, por ai luajti pianon në mënyrë të mrekullueshme
-tregoi një kamarier për mediat britanike.
Ndërkohë, Donatella Versace u kujdes për paraqitjen e nuses, duke dizajnuar dy fustane të bardhë ekskluzivë për Duan. Njëri prej tyre ishte i zbukuruar me detaje vezulluese dhe diamante, ndërsa tjetri u përdor gjatë festës që pasoi ceremoninë.
Masat e sigurisë ishin jashtëzakonisht të rrepta. Zona përreth vilës u rrethua nga një perimetër i dyfishtë sigurie, ndërsa stafi u detyrua të dorëzonte telefonat celularë për të ruajtur privatësinë e çiftit dhe të të ftuarve.
Në dasmë nuk munguan as elementet shqiptare. Sipas burimeve pranë organizimit, një grup artistësh interpretoi muzikë dhe valle tradicionale shqiptare, ndërsa prindërit e Duas, Dukagjin dhe Anesa Lipa, u panë duke vallëzuar dhe duartrokitur me entuziazëm.
Ceremonia simbolike u zhvillua përpara një pavijoni elegant të vendosur në oborrin e vilës, ku çifti shkëmbeu betimet para familjarëve dhe miqve më të afërt. Të ftuarit u pritën me abaniko të personalizuara me inicialet “D” dhe “C”, si dhe me shamitë e qëndisura me mesazhin romantik: “Stay mad with me forever”.
Pas ceremonisë, mysafirët shijuan një darkë me tre pjata të përgatitur nga shefi i njohur Tony Lo Coco. Menuja përfshinte specialitete tradicionale siciliane si Anelletti alla Norma, panelle dhe crocché, ndërsa për ëmbëlsirë u servirën cannoli dhe cassata.
Pak para mesnatës, qielli mbi Villa Valguarnera u mbush me fishekzjarrë në ngjyrë ari, të bardhë dhe blu, ndërsa banorët vendas ndalonin makinat për të parë shfaqjen dhe brohorisnin: “Viva gli sposi!” – “Rroftë çifti i sapomartuar!”.
Festimet vazhduan me muzikën e DJ-ve të famshëm Carl Cox, Martin Garrix, David Guetta dhe Peggy Gou, ndërsa pista e vallëzimit mbeti plot deri në orët e para të mëngjesit.
Në mesin e të ftuarve të njohur ishin Charli XCX dhe bashkëshorti i saj George Daniel, Joe Alwyn, Mark Ronson me Grace Gummer, Olivia Dean dhe shumë emra të tjerë të njohur të industrisë së muzikës dhe kinemasë.
Një detaj i veçantë i dasmës ishte dekorimi me rafte librash në festën e mirëseardhjes, një referencë romantike ndaj historisë së njohjes së çiftit. Dua dhe Callum u takuan për herë të parë në restorantin River Cafe në Londër, ku u prezantuan nga pronarja e restorantit, Ruthie Rogers.
Edhe pse takimi i parë ishte i shkurtër, një takim i dytë rastësor një vit më vonë shënoi fillimin e historisë së tyre të dashurisë, e cila tani ka kulmuar me një nga dasmat më të komentuara të vitit.