Celebrities Gossip Showbiz

Çfarë ndodhi mes tyre? Babai i Callum Turner mungoi në dasmën me Dua Lipën?

Dasma luksoze e Dua Lipës dhe Callum Turner në Sicili ishte një nga ngjarjet më të komentuara të showbizit këtë vit. Megjithatë, një detaj nuk kaloi pa u vënë re: babai i aktorit britanik, Laurence Coles, nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e martesës.

Sipas raportimeve të “The Sun”, ndërsa çifti po i thoshte “po” njëri-tjetrit në Villa Valguarnera, një rezidencë historike e shekullit XVIII në Sicili, Laurence ndodhej rreth 2,000 milje larg, në veri të Londrës, ku kishte zgjedhur të merrte pjesë në një tjetër ceremoni martesore, atë të Jamie Rae Keeble, vajzës së bateristit të grupit Spandau Ballet, John Keeble.

Një burim pranë familjes deklaroi për median britanike se marrëdhënia mes Callum dhe të atit ka qenë e ftohtë prej shumë vitesh.

Edhe pse kanë qenë të distancuar për një kohë të gjatë, shumëkush u habit që Laurence zgjodhi të ishte në një dasmë tjetër pikërisht ditën kur martohej djali i tij. Ai u përpoq të mos tërhiqte vëmendje, por mungesa e tij u komentua nga të pranishmit

-tha burimi.

Pavarësisht kësaj, në ceremoninë madhështore morën pjesë gjysmëvëllai dhe gjysmëmotra e Callum, Louis dhe Clemmie. Dasma mblodhi rreth 200 të ftuar, mes tyre emra të njohur të industrisë së muzikës dhe kinemasë, si Elton John dhe Charli XCX.

Mungesa e Laurence ka ngjallur diskutime edhe për faktin se, sipas raportimeve, marrëdhënia mes tij dhe Callum ishte përmirësuar vitet e fundit, pas një largësie që zgjati gati tri dekada.

Vetë aktori, i njohur për rolin e tij në serinë “Fantastic Beasts”, ka folur më parë për raportin e ndërlikuar me babanë, duke treguar se ata kaluan pjesën më të madhe të jetës në kontinente të ndryshme.

Callum lindi në vitin 1990 dhe u rrit në Londër nga nëna e tij, Rosemary Turner, e cila e edukoi e vetme ndërsa punonte në industrinë e jetës së natës. Ndërkohë, babai i tij u zhvendos në Australi, ku ndërtoi një jetë të re, u rikualifikua si psikoterapist dhe krijoi një familje tjetër.

Në intervista të mëhershme, aktori ka pranuar se, edhe pse nuk pati pranë figurën klasike të një babai, nuk i mungoi dashuria dhe mbështetja gjatë fëmijërisë.

Ishte një fëmijëri me sfida, por edhe me shumë dashuri. Gjithmonë kam pasur njerëz pranë që më kanë mbështetur

-është shprehur ai.

Edhe pse vitet e fundit babë e bir thuhet se ishin afruar sërish pas rikthimit të Laurence në Mbretërinë e Bashkuar, mungesa e tij në ditën më të rëndësishme të jetës së Callum Turner ka ngritur pikëpyetje dhe ka nxitur reagime të shumta në mediat britanike.