Në Greqi, dy persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e gazetarit Giorgos Karaivaz në vitin 2021. Lajmin e dha ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Takis Theodorikakos. Në një postim në rrjetet sociale, ministri vuri në dukje se autoritetet kishin premtuar se rasti do të zgjidhej edhe nëse do të zgjaste shumë, duke shtuar se hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht vrasjen e Karaivazit.
Në një deklaratë të veçantë, policia informoi publikun se dy personat e arrestuar janë shtetas grekë, të moshave 40 dhe 48 vjeç. Dy vjet më parë, Karaivaz u qëllua gjashtë herë jashtë shtëpisë së tij në bregdetin jugor të Attica Alimos, më 9 prill 2021, nga dy burra me motoçikletë.
Edhe pse gazetari pati bashkëpunuar me disa media, si dhe kishte drejtuar një faqe të vetën në internet, ai nuk raportoi ndonjë kërcënim dhe asnjëherë nuk kërkoi mbrojtje nga forcat e rendit.
Mediat dhe kolegët e viktimës dyshojnë se vrasësit kishin vepruar për llogari të disa kriminelëve, aktivitetet e të cilëve ishin hetuar nga gazetari që më pas u vra.
Në atë kohë, rasti shkaktoi një protestë ndërkombëtare që kapërceu kufijtë e Greqisë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e dënoi aktin, duke thënë se shpresonte që së shpejti kriminelët do të sillen përpara drejtësisë. Giorgos Karaivaz ishte i martuar dhe me një fëmijë.