Aktualitet

Dy turistë me motor uji të fikur në det, njëri vdes në port/Partnerja në gjendje të rëndë!

Një 34 vjeçar banues në Angli humbi jetën dhe partnerja e tij 31 vjeçe u gjet në gjendje kritike shëndetësore nga Policia Kufitare e Durrësit, sot gjatë një patrullimi në ujërat e zonës së Shkëmbit të Kavajës. E mbijetuara u dërgua në spital dhe viktima ndërroi jetë kur shkoi autoambulanca në port. Motori i ujit “Jet Ski” ishte i fikur. Dyshohet se humbën kontrollin dhe pësuan aksident gjatë manovrave.

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit.

Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S.O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V.B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.