Aktualitet

Dy viktima nga shembja e galerisë së kromit në Tropojë!

Një ngjarje e rëndë ndodhi rreth mesdite në fshatin Lajthizë të Tropojës, ku galeria e një miniere kromi u shemb dhe për pasojë humbën jetën dy minatorë. Mësohet se fillimisht mbetën të bllokuar gjashtë punonjës të nëntokës. Katër prej tyre u nxorrën të gjallë, ndërsa dy të tjerë nuk ia dolën e fatkeqësisht humbën jetën.

Shembja e galerisë ndodhi në mbi 1 mijë metra thellësi, në fillim duke vështirësuar punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Njëri nga dy viktimat u identifikua si shtetasi Adil Dautaj, 41-vjeç banues në Tropojë, baba i dy fëmijëve dhe i dyti si Afrim Zhutaj, 43-vjeç nga Kepeneku, baba i tre fëmijëve.

Dita e sotme nisi me një tjetër aksident në punë në vendin tonë. Në Tiranë ndërroi jetë një 46-vjeçar, i cili ishte duke punuar në një objekt në ndërtim në rrugën “28 Nëntori” në qendër të kryeqytetit, kur u rrëzua. Rënia nga lartësia rezultoi fatale dhe fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetonte dëmtimeve të rënda. Në vendngjarje nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave.