Një prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit u arrestua sot në vendin e tij të punës. Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se prokurori me iniciale B.Sh., dyshohet se ka kryer veprën penale të “marrjes së ryshfetit”.
Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, u theksua në njoftim.
Betimi për Drejtësi, i specializuar raportime në fushën e drejtësisë, raportoi se prokurori i arrestuar është Beqë Shala.
Sipas Betimit për Drejtësi, ai u prangos teksa kjo media po kryente një investigim për këtë prokuror, duke pretenduar se ka një video-regjistrim të Shalës duke pranuar ryshfet.
Referuar Kodit Penal të Kosovës, “një person zyrtar që në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthortë kërkon ose pranon ryshfet në mënyrë që ai të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, mund të dënohet me gjobë ose me burgim nga një deri në tetë vjet”.
Personi zyrtar, po ashtu mund të dënohet me 12 vjet burgim nëse veprimi i kryer është në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Ndër të tjera, ky kod përfshin dënime edhe më të larta me burg, përkatësisht deri në 15 vjet heqje lirie, nëse vepra penale rezulton në të mira materiale, në vlerën mbi 15 mijë euro.