Bota

E prezantoi si presidentin Putin, por Zelensky nuk ia vë re Biden-it/Gjëra që ndodhin!

“Thjesht një gabim që mund të harrohet”. Kështu e quajti presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gafën e fundit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në samitin e NATO-s në Uashington.

Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë shumë mbështetje për ukrainasit, u shpreh Zelensky. Mendoj se mund t’i harrojmë disa gabime, tha ai duke iu përgjigjur gazetarëve gjatë një vizite në Irlandë.

Por, çfarë ndodhi? 

Presidenti amerikan, Joe Biden e prezantoi gabimisht presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si “presidentin Putin” në samitin e NATO-s, një ngecje verbale jo e vogël, në një kohë kur Biden po përballet me pikëpyetje intensive në lidhje me aftësinë e tij mendore, siç thekson CNBC.

Ngatërresa e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili iu referua Zelensky-t me emrin e liderit rus e që prej më shumë se dy vitesh po zhvillon një luftë pushtuese shkatërruese në Ukrainë, erdhi një orë para se Biden-i të përballej me gazetarët në Uashington DC, në konferencën e tij të parë për shtyp që nga debati i 27 qershorit kundër ish-presidentit Donald Trump dhe që e vuri në shumë vështirësi.

Një numër në rritje i demokratëve amerikanë po i bën thirrje Joe Biden-it, të largohet si kandidat presidencial i partisë.

Dhe tani dua t’i lë fjalën presidentit të Ukrainës, i cili ka aq guxim sa edhe vendosmëri, tha Biden në samitin e NATO-s në Uashington D.C. Zonja dhe zotërinj, presidenti Putin. Presidenti Putin, përsëriti shefi i Shtëpisë së Bardhë, para se të mund të kapte gabimin e tij.

Ai do ta mundë presidentin Putin… Presidenti Zelensky, korrigjoi Biden më pas.

Zelensky e trajtoi me shkathtësi hyrjen e turbullt, duke bërë dhe batuta humori kur tha se ai është më i mirë, diçka që e ka të lehtë presidenti ukrainas, po të kemi parasysh se para se të drejtonte shtetin, ishte një komedian i suksesshëm.

Unë jam më i mirë.

Biden u përgjigj:

Ti je shumë më i mirë.

Biden ka vuajtur nga belbëzimi për disa dekada. Por, debati i tij i fundit me Trump-in dhe gabimet e tjera verbale, duke shtuar momentet e konfuzionit mjaft të dukshme, kanë ngritur shqetësime se 81-vjeçari, i cili është presidenti më i moshuar që kanë pasur ndonjëherë SHBA-të, po shfaq mungesë të mprehtësise verbale e mendore.