Sot në emisionin “Live from Tirana” ishin të ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike dyshja e njohur dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, Gili dhe Ilir Berani. Marrëdhënia e tyre bashkëshortore dhe profesionale është për t’u patur zili. Por, si janë njohur ata me njëri-tjetrin? Për më shumë çifti na zbulon:
Gili: Ishim shok klase, jemi njohur që fëmijë, kemi qenë te kori i qytetit pastaj në shkollë të mesme lindi e ëmbla dashuri. Kënga “Prishtina” është vetëm një dedikim për dashurinë tonë por edhe për të gjithë të dashuruarit.
Naimi: Ne kemi qenë fëmijë, dy herë kemi qëlluar në një klasë, nuk jemi takuar sepse unë ndërrova shkollën dhe herën e tretë kur jemi takuar në shkollën e mesme thashë ‘kjo është e treta e vërteta’. E shikoja Gilin, ishte më e bukura e klasës dhe me siguri edhe e qytetit, na lidhte edhe muzika. E filluam si shok dhe jemi ende si shok.
Si lindi kënga “Prishtina”?
Iliri: Kjo këngë lindi gjatë qëndrimit tonë si refugjatë në Francë ku lindi edhe djali ynë i dytë Redoni, malli që kishim për qytetin ku jemi rritur me kujtimet më të bukura që i kemi të lidhura me këtë qytet rezultuan në krijimin e këngës ‘Prishtina’. Pastaj për fat të mirë kjo këngë u lidh me pjesëmarrjen në festivalin më të madh që ishte atëhere në Prishtinë. Ishte nga prezantimet më të bukura të Gilit më shumë nga aspekti emocional sepse për herë të parë pas luftës në një sallë plot me njerëz, vargjet e kësaj këngë janë përjetuar shumëfish sesa do të ishte përjetuar në salla të tjera.
Ka pasur xhelozi në raportin e dyshes?
Gili: Kam qenë xheloze gjithmonë sepse ku ka xhelozi dashuria është më e madhe por jo xhelozi të sëmurë.
Si e ka pritur familja lidhjen e tyre?
Gili: Nuk e kemi pasur të lehtë sepse ne si çift kemi përjetuar dy luftërat ballkanike, luftën e Sarajevës dhe luftën e Kosovës. Unë e kisha djalin 7 muajsh në luftën në Sarajevë, në luftën e dytë isha shtatzënë në muajin e fundit dhe si refugjate lufta më çoi në Francë, aty linda dhe kështu jeta na përplasi me sfida por sot jemi bashkë më fëmijë të rritur.
Si janë Gili me Ilirin si bashkëpunëtor?
Iliri: Profesionin e kemi të ndarë në një vijë shumë të prerë. Ka raste zihemi për shumë këngë pastaj sa dalim nga studio jemi bashkëshortë. Është fat i madh nëse arrin të ndash profesionin nga jeta private.
Tipari fizik që pëlqejnë çifti nga njëri-tjetri?
Gili: Sytë e Ilirit.
Iliri: Sytë e Gilit, janë pasqyrë e shpirtit.