Sot e ftuar në studio në emisionin “Live from Tirana” ishte folësja historike Elsa Xhai për të na folur më shumë rreth radios, aty ku ajo ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj. Ndër të tjera ajo shprehet se çfarë simbolizon radio për të dhe si ka nisur e gjithë gjëja:
Për mua radio ka qenë ëndërr, magji dhe u bë realitet. Punova më shumë se 40 vjet në Radio Tirana dhe mu duk privilegj që arrita të punojë kaq vite me mund, djersë, me kolegë të mirë. I falenderoj dhe i përshëndes të gjithë. Sot e kam edhe një homazh për ata që nuk janë më, ata gazetarë që kanë ndërruar jetë nga pandemia. Top Channel për mua është një revolucion pas Radio Tirana. Unë punova në Digitalb me disa kolegë që punoja dhe në radio. Për mua ishte një privilegj që punova në Top Channel më shumë se 10 vjet. Kam qenë mbi 15 herë në SHBA dhe kam vënë re që 75% e popullsisë ndiqnin radion. Kështu ndiqet edhe sot Top Albania Radio. Radio duhet të ketë temporitëm.
Radio është komode ama gjithë natën kur ke emisionin të punon mendja çfarë do të thuash por ama është magjike. Nëse ikën nga radio ti do të qash. Ato takimet me dëgjuesit nga mbarë bota janë të pakrahasueshme. Nuk është etike të shash në radio apo televizion në atë formë që të përdorësh fjalë banale. Unë nuk e kam lejuar kurrë, është e gjitha si t’i orientosh dëgjuesit. Top Channel është me një programacion të caktuar. Nxënësit e shkollave përshembull nuk mund të kenë program në ditët që kanë mësim, duhet të jetë ose para ose pas shkolle. Pjesët e folura mos të jenë më shumë se 20 minuta sepse e lodh dëgjuesin.
Sa i mungon radio sot Elsës?
Unë jetoj me radion, e marr me vete ku të dua unë. Kur nuk më pëlqen diçka them: ‘Ah si e tha kështu’, megjithatë janë të reja e korigjojnë shpejt. Dëgjoj emisionet e juaja dhe janë atraktive, tërheqëse. Dua të kem shijen e së resë. Mua më sjell kënaqësi edhe në dark kur bie të fle, nuk më zë gjumi po nuk dëgjova radio. Gdhihem me radio, i dëgjoj të gjitha. Më duket sikur po punoj akoma. Bëra një studim për gratë dhe doli që Radio Tirana kishte një pjesë të madhe të çështjeve të tyre dhe pastaj vinte edhe Top Channel. U kënaqa, kur një media që është në orientim të rinisë trajton edhe tema të tjera. Dua që Top Channel të ketë edhe për moshat e treta diçka, t’ja kushtojë 30 minuta edhe atyre. Jo çdokush mund të punoj në radio sepse radio kërkon një bagazh kulturor, të kesh lexuar shumë.